HomeSociale

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, ja mesazhi nga Presidenti

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, Presidenti i Republikës Ilir Meta priti dje në një takim një grup të moshuarish.

Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë që shoqëria jonë, në shembullin e Shenjtores Nënë Tereza, të kujdeset me më shumë dashuri dhe vëmëndje për pjestarët e saj.

“Përkujdesja dhe vëmendja ndaj sfidave dhe problematikave me të cilat përballen të moshuarit është detyrim i të gjithë shoqërisë sonë”, – nënvizoi Kreu i Shtetit

Presidenti Meta theksoi se institucionet shtetërore në veçanti, duhet të tregojnë më shumë respekt e përkujdesje për moshën e tretë, për hallet e tyre, pasi kontributi e përvoja e prindërve dhe gjyshërve tanë është një aset i çmuar për sot e të ardhmen.

Shoqëria jonë, veçanërisht brezi i ri, jo vetëm duhet të mësojë nga eksperienca juaj, por duhet t’i investojë këto përvoja në edukimin e brezit të ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, përgjegjshmërisë e seriozitetit, por edhe me ruajtjen e forcimin e ndjenjës sonë kombëtare”, – tha

Presidenti Meta, teksa theksoi se problemi më i madh sot është mbajtja e të rinjve në vendin tonë, sepse largimi i tyre masiv do të sjellë pasoja katastrofike për shoqërinë në të ardhmen.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se në këtë ditë të të moshuarve duhet të vlerësojmë edhe rolin e tyre në familje dhe në shoqëri.

“Gjyshërit janë shpesh mbështetje e madhe për nipërit dhe mbesat e tyre, jo vetëm me kujdesin në rritjen e tyre, por edhe me edukimin e transmetimin e eksperiencave jetësore. Por nga ana tjetër, të moshuarit kanë nevojë për mbështetjen e familjes e të fëmijëve të tyre, veçanërisht në situata të vështira e në pamundësi shëndetësore”, – u shpreh Presidenti Meta gjatë takimit.


TË NGJASHME