HomePolitikë

Ditmir Bushati reagon për rastin e Valdrin Pjetrit

Deputeti Ditmir Bushati thotë se rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër, është “pika e derdhjes” duke kërkuar reformim të thellë të Partisë Socialiste dhe jo vetëm.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Bushati tha se i ishte drejtuar me një letër këtij organizmi të partisë, duke shtuar se fenomeni duhet të trajtohet në mënyrë agresive.

Ai shtoi se nuk mund të zhvendoset vëmendja me shkarkime masive drejtorësh në Shkodër.

Ditmir Bushati: Ne kemi pasur një diskutim në PS ku çështja ka qenë edhe situata në Shkodër e krijuar pas 30 qershorit. Unë i kam drejtuar një letër kryesisë së Partisë Socialiste për shqetësimet që kam ngritur për situatën atje.

E vërteta është që me delegimin tim në 2016-n, disa fenomene i kam trajtuar brenda familjes time politike. Mendoj se me rastin e fundit në Shkodër, kemi para nesh pikën e derdhjes për një fenomen që duhet ta trajtojmë në mënyrë agresive të mundshme.

30 vjet pas rënies së komunizmit, besoj se ka shumë mundësi që Partia Socialiste dhe gjithë aktorët e tjerë politikë t’i ofrojnë qytetarëve të këtij vendi njerëzit më të mirë. Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet në mënyrë ligjore dhe as të zhvendosjes së vëmendjes me shkarkime në masë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar.

Kjo është një çështje shkon përtej mureve të një organizate politike pasi në fund të ditës jemi politikanë dhe kemi përgjegjësinë për të hapur një debat për të trajtuar rrënjën e këtij fenomeni dhe jo për të menaxhuar pasojat. Rrënjët e këtij fenomeni mendoj se kanë nevojë për një reformë politike brenda familjeve politike, që të sjell një kulturë të re politike, një sistem të ri llogaridhënës kur PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit, progresit dhe pse jo e komuniteteve.

Ne na takon të njohim realitetin, përgjegjësinë politike dhe të themi na falni për rastin në fjalë dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një realitet tjetër politik. Jam krejt i bindur edhe nga kontaktet që kam pasur. Jemi një familje e madhe politike. Askush nuk ka pse të ndihet i ligështuar për vendimmarrjen e gabuar që ne mund të kemi marrë në këtë drejtim. Ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar, shfarosur këtë fenomen.

Ato gabime që kemi bërë në të shkuarën, ku njerëz që kishin një të kaluar të dyshimtë u përjashtuan nga radhët tona, u përshëndetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse dhe sot na duhet për fat të keq, që të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve.


TË NGJASHME