HomePolitikë

Djegia e mandateve, Plasari: Opozita kreu një akt demokratik

Profesor Aurel Plasari, në studion e News24 në emisionin “A Show”, tha se djegia e mandateve nga opozita, është një veprim i rëndësishëm demokratik, në mbrojtje të demokracisë. Nuk i ka kursyer kritikat profesor Plasari për kryeministrin Edi Rama.

“Unë e gjykoj që opozita ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm, që ndërmerret në mbrojtje të demokracisë. Ka refuzuar pjesëmarrjen në një parlament që sipas pozitës ishte degraduar, funksiononte në një vend pa gjykatë kushtetuese dhe me shumë hendikape të tjera, me një parlament arrogant, kryeministër arrogant, që thotë vazhdimisht kam vota. Harron që opozita ka një elektorat. Nuk janë ata 10-20 që marrin nëpër gojë. Opozita është gjysma. Edhe nëse është me vogël ajo gjysma tjetër duhet të kesh më shumë kujdes. Kemi të bëjmë me një njeri që nuk i ka kuptuar ndonjëherë këto parime demokratike. Mbasi mori votën u harruar shërbëtorllëku dhe doli arroganti. Në këto rrethana opozita ka bërë një veprim në mbrojtje të demokracisë dhe në rrethana demokratike. Kurrë kryeministri dhe as të huajt nuk kanë thënë që keni bërë një akt demokratik. I jashtëzakonshëm nuk është fare sepse janë tërhequr në ‘24-ën. Këto nuk janë ngjarje që nuk i ka parë bota”, deklaroi Plasari.

Sipas tij, ‘refuzimi për të marrë pjesë në një parlament që e ka quajtur ilegjitim është vendim demokratik për mbrojtjen e parimeve demokratike’. “Arrogantët që qeverisin harrojnë se këta nuk janë ish-deputetë, janë deputetë. Këta i kanë votat, votat nuk ua ka hequr njeri. Ata janë deputetë. Edhe në qoftë se vritet njëri prej tyre vdes si deputet. Edhe të dalë t’i pushkatojë përfaqësuesit e opozitës kjo nuk zhbën ata si përfaqësues të atij elektorati. Ata kanë hequr dorë nga ushtrimi i detyrës në një parlament që e quajnë të inkriminuar”, tha Plasari.

A do ketë zgjedhje më 30 qershor? Për profesor Plasarin, ka shumë gjasa që të bëhen, pasi sipas tij kryeministri Rama do të hyjë në histori.

“Kryeshërbëtori mund të shkojë drejt asaj aventure sepse aventurat për të bërë diçka që nuk është bërë të japin një lloj kënaqësie. Të futem në histori se bëra një palë zgjedhje pa opozitën… Ka shumë gjasë që edhe të bëhen. Kjo e thellon procesin e konfliktit social e politik. Se deri kur mund të shkojë ky konflikt, rëndësi ka që kjo ngjarje do zgjidhet. Unë mendoj se ajo e 4 vjetëve duhet të ndryshojë, me korrigjimin e legjislacionit të zgjedhjeve duke kërkuar që gjithçka që premtohet në propagandën elektorale të jetë kontratë dhe të nënshkruhet diku. Të nënshkruhet aty ku merren portofolet tek Presidenti. Çdo gjë që e justifikojnë me propagandë elektorale por që janë premtime për të cilat elektorati iu jep votën duhet të jetë e sanksionuar në një kontratë. Të jetë një kontratë e nënshkruar. E kam kërkuar votën 1-2-3-4-5 premtime, afatet për to, marzhin e afateve por që kanë një kriter deri ku shkon. Zotëri ti ke shkelur këtë kontratë, ja ku janë argumentet e nuk presim 4 vjet. Ku ka më supermetodë që të premtosh e të mos i bësh. Kjo është akademike, ky lloj abuzimi me marrjen e votave. Të marrësh votat me diçka që nuk e bën. Nuk ka vjedhje më të sofistikuar dhe më të hapur se kjo. Le t’i hapin gazetarët, ka thënë që do t’i bëjë rrugët me pagesë, jo nuk ka thënë”, tha Plasari.


TË NGJASHME