HomePolitikë

Dokumenti i përbashkët mes palëve, reagojnë deputetët

Oerd Bylykbashi, i mandatuari i PD për tryezën e përbashkët të Reformës Zgjedhore ka thënë se dokumenti i publikuar sot është garancia se procesi po bëhet me konsensus të palëve politike.

”Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe kjo gjithëpërfshirje e konsensus të shkojë deri në fund. Kemi asistencën ndërkombëtare. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të institucionalizohet një forum, Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer gjithë këtë reformë”- tha Bylykbashi.

Petrit Vasili ka thënë se takimi i parë mes palëve në tryezën për Zgjedhoren është hap i rëndësishëm. Ai tha se ky proces i hap rrugë integrimit europian dhe se opozita nuk imponon palën tjetër (për rastin e Damian Gjiknurit).

“Është një hap në një moment të rëndësishëm për plotësimin e një kushti të Bundestagut. Pra një kush edhe për integrimin europian. E shëndosh një proces që është kaq shumë i sëmurë. Do të kemi ekspertizën ndërkombëtare që adreson çështjet që janë bërë shkak i shkatërrimit të besimit tek qytetarët.

Baza e parimeve është një bazë parimore dhe njëherave aktorët kanë mundësi të shprehen dhe të jenë pjesë e një procesi konsensualiteti që më parë ka munguar.

Në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, do të ishte një mundësi për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera por edhe hapjen e rrugës së integrimit europian që ka mbetur në vend numëro.

Pse në tryezë me Damian Gjiknurin?

Nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër por nuk kemi ndryshuar mendim.”- tha Vasili.

Ndërsa përfaqësuesi i PS në këto bisedime Damian Gjiknuri u shpreh se në vijim do të punohet me konsensus për arritjen e një marrëveshjeje, ku do të kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të ODIHR.

“Kemi një marrëveshje mes palëve, që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutime me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar. Ne do përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ODIHR, është ajo c’ka kemi nisur në komisionin e reformës zgjedhore. Duhet të kuptojmë problemet e sistemit zgjedhor, nuk ka asnjë rekomandim ndrëkombëtar, se nuk mund t’i japë kush mend Shqipërisë cfarë sistemi të ndjekë. Do  kërkojmë ekspertizë për administrimin e zgjedhjeve.

Komisioni për reformën funksionon pasi aty bëhen të gjitha diskutimet, cdo draft miratohet në komision. Opozita ka një vend në të që nuk e ka shfrytëzuar. Gjetëm një modalitet që të jetë pjesë e punës për reformën zgjedhore. Kemi vullnet të mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën.

Maxhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës, dhe nëse ato janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR, do t’i pranojmë .” u shpreh Gjiknuri.


TË NGJASHME