Aktualitet Lajme Politikë

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit, ja kush është kandidati favorit për drejtimin e Qarkut Shkodër

Kryeministri Rama ka marrë drejtimin e Rajonit të Veriut, ku përfshihen katër qarqet, Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër, por Shkodra duket qarku më problematik.

Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e mandatit të kryebashkiakut të Shkodrës, automatikisht dhe të drejtuesit politik të PS-së në këtë qark, diskutimi në selinë rozë po bëhet rreth figurës që do ta zëvendësojë atë. Astrit Beci, ish-drejtori i Shëndetit Publik në këtë qytet, i cili dha dje dorëheqjen, është kandidati më i mundshëm për të marrë në dorë koordinimin politik të PS-së në këtë qark.

Ish-deputeti socialist, gjatë mandatit të parë të PS-së në pushtet, 2013-2017, drejtoi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nga i cili dha dorëheqjen pas skandalit me rimbursimin e barnave në këtë institucione, ku në pranga u vunë drejtor i Fondit Rajonal për Rimbursimin e Ilaçeve, Pjerin Xhuvani, së bashku me 7 persona të tjerë. Kandidatë të mundshëm janë edhe ish-zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila ishte projektuar si kandidate për kryetare bashkie në këtë qytet, aktualisht deputete e PS, Megi Ajtyresa, ish-kryetare e FRESH-it, por dhe deputeti Luan Harusha, të cilin Kryeministri Rama e ka angazhuar këto ditë që të merret me riorganizimin e PS në këtë bashki.

Megi Ajtyresa
Megi Ajtyresa

Deputeti i Shkodrës, Luan Harusha, tha dje se kryeqendra e veriut nuk është e vetmja dele e zezë e PS-së. “Ashtu siç u deklarua edhe të mërkurën pas mbledhjes, PS analizon në çdo qark rezultatin e zgjedhjeve. Edhe Qarku i Shkodrës po bën analizën në strukturat e PS për të parë rezultatin. E njëjta gjë do të aplikohet dhe në qarqe të tjera. Për sa u përket kandidaturave, ato janë konsultuar me PS-në e Shkodrës më herët. Nuk janë imponuar”, u shpreh Harusha.

SHKARKIMI

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, drejtonte Qarkun e Shkodrës si i deleguar i kryesisë së PS që prej vitit 2016, ndërsa u zëvendësua, me një vendim të Kryeministrit Rama, live nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare në fund të korrikut, pikërisht nga Pjetri, pak përpara se ky i fundit të detyrohej të jepte dorëheqjen, pas publikimit nga opozita të dokumenteve që vërtetonin dënimin e tij në Itali.

Rastin e tij, Kryeministri e trajtoi si një përgjegjësi individuale, por në të kundërt, për ish-ministrin Bushati “kemi mbërritur në pikën e derdhjes për një fenomen, të cilin duhet ta trajtojmë në mënyrën më agresive të mundshme. Sepse 30 vjet pas shembjes së komunizmit besoj fuqimisht që PS dhe të gjithë faktorët e tjerë politikë kanë mundësi t’u ofrojnë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi njerëzit më të mirë”.

ZGJEDHJET

Partia socialiste ka hyrë në një fushatë zgjedhore në të gjithë vendin, ku deri në janar të vitit të ardhshëm do të ketë përfunduar zgjedhjen e drejtuesve të rinj që nga organizata socialiste e deri të delegatëve të kongresit. Por pjesëmarrja e ulët e zgjedhësve në 30 qershor për Bashkinë e Shkodrës dhe reagimi i fortë që PS ka marrë nga këshilltarët e saj në këtë këshill si me kandidatin e përzgjedhur, ashtu dhe me mënyrën sesi është sjellë pushteti me ta, ka angazhuar vetë kreun e PS që në Shkodër të bëhet një riorganizim i thellë i kësaj partie.

Qëllimi i kësaj reforme bëhet edhe në funksion të zgjedhjeve të pjesshme që do të zhvillohen në këtë bashki për kreun e saj pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, pavarësisht se data e tyre ende nuk është caktuar nga Presidenti i Republikës. Në këtë mënyrë, riorganizimi i PS në këtë bashki do të shkojë paralel dhe me përzgjedhjen e emrit që do të drejtojë punën politike të kësaj partie në të gjithë qarkun./panorama.al

Related posts

Shpërthen mina/ Humb jetën efektivja e FA-së, plagosen dy të tjerë

Xhensila Gotanews

Kërkohej nga shteti italian, arrestohet 40-vjeçari

Xhensila Gotanews

Tha se nuk do bashkëpunonte me Gold AG, reperi i përgjigjet Ledrit

emanuela
Na Kontaktoni!