HomePolitikë

Drafti i “Zgjedhores”, përplasje mes Murrizit dhe Ruçit

Teksa drafti i reformës zgjedhores ndodhet në Kuvend, deputeti Myslim Murrizi është shprehur se maxhoranca dhe opozita jashtëparlamentare kanë dorëzuar një draft të njëanshëm për reformën zgjedhore.

Murrizi tha nga foltorja e Kuvendit se ky draft është dorëzuar në mënyrë të fshehtë, ndërsa shtoi se nuk do të votohet nga ana eopozitës në parlament.

 “Nga njoftimet tuaja mora vesh që në mënyrë të njëanshëm, pa u mbledhur Komisioni i Reformës Zgjedhore, në mënyrë të fshehtë si në 17 maj, në 12 të natës, qenka dorëzuar në Komitet Qëndror një draft i njëanshëm i pazarxhinjve i 21 prill të 2008. Zoti Balla, nëse ju shkon në mend ty dhe Ramës, Bashës dhe Kryemadhit që i keni marrë paratë shqiptarëve, për të bërë një ligj në Kuvend me votat e pista, e keni gabim! Këtë gjellë qensh që është gatuar para 12 vitesh, do ua hedhin në sy shqiptarët. Deputetë sharlatanë, dhe kryetarë bashkish që akuzojnë të tjerët që shiten e blihen, janë pjesë e kësaj loje. Ju garantoj se s’do të merrni asnjë vote këtej. Lërini lojërat e pista. Nënshtroheni vullnetin e 39 deputetëve. Nëse janë tërhequr për afera të pista korruptive, të kenë surrat që të thonë se nuk i qëndrojnë firmës. S’do t’ju pinë ujë paratë as juve, as sivëllezërve tuaj që enden ferrave apo bunkerëve. Ndalni votën e pistë. Shqiptarët kërkojnë zgjedhje. Sot është 2 korriku. 30 vite më parë revolta shqiptarë prishi kangjellat e diktaturës. 30 vite me pas ju vazhdoni. Bijtë e atyre që sunduan Shqipërinë, kërkojnë që të marrin shqiptarët peng me votën e tyre. Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga loja e pistës. Pisllëqet e atyre që ju akuzojë juve ditën dhe filtrojnë me ju natën, s’mund të jenë në këtë sallë.”,- tha Murrizi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i është përgjigjur akuzave të deputetit të opozitës së re Myslim Murrizi sa i përket draftit të reformës zgjedhore të dorëzuar dje në Kuvend. Ruçi tha se komisioni ka pushuar veprimtarinë më 30 qershor por se nuk i heq të drejtën ekskluzive të çdo individi deputet në këtë sallë që të paraqesë nismë.

Ai theksoi se drafti është produkt i një konsultimi të gjerë politik dhe se është dorëzuar në Kuvend brenda orarit zyrtar.

“Kam mbi 15 ditë që ju kam lajmëruar këtu në sallë që komisionit në datë 30 i mbaronte afati i vendosur nga Kuvendi. Unë deklarova që ka pushuar veprimtarinë e tij. Po kjo nuk do të thotë të drejtën ekskluzive të çdo individi deputet në këtë sallë që të paraqesë nismë. Kështu që nuk ka pse të anatemojmë, deputetët, anëtarë të komisionit të cilët kanë prurë një produkt si rezultat dhe i një konsultimi të gjerë politik të bërë mes aktorëve dhe faktorëve parlamentarë dhe joparlamentarë.

E dyta nuk është paraqitur nisma e tyre as në 12 të natës, por brenda orarit zyrtar në orën 14:00 dhe në protokollin e kuvendit”, deklaroi Ruçi


TË NGJASHME