HomeLajme

Drejtori i Burgjeve: Nga burgu janë porositur vrasje

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili nga Komisioni i Sigurisë bëri një deklaratë të fortë duke pohuar se nga burgu janë porositur edhe vrasje.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili i është përgjigjur sot pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Sigurisë.

Ismaili tha se për të burgosurit do të kufizohet koha për telefonatat.

“Ka raste që janë porositur vrasje nga burgu, do raportohen në Prokurori. Ndaj për të burgosurit do të kufizohen koha për telefonatat. Ne jemi gati të implementojmë sistemin 41 bis në burgje, ndërsa keni si synim shtrëngimin e masave për persona që vuajnë dënimin në burgje, me rrezikshmëri të lartë”, tha Ismaili.

Nisur nga lajmet e pak ditëve më parë, ku avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri denoncoi një aksident sipas tij të ndodhur në makinën ku udhëtonte klienti i tij gjatë transportit për në Gjykatë, Ismaili hodhi poshtë prentendimet duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë.

Në përgjigje të deputetit Spartak Braho, i cili kërkoi më shumë informacion për këtë cështje, Ismaili tha se për Izet Haxhinë, ka një program masash si për çdo të burgosur që shoqërohet me polici shteti e polici burgjesh dhe se nuk ka patur asnjë aksident.

Pak ditë më parë, avokati i Izet Haxhisë, denoncoi incidentin e ndodhur në 9 tetor, ku Haxhiaj sipas tij u lëndua në furgonin e policisë. Sipas avokatit, pasi kishte dhënë dëshminë për rreth 36 orë tek Krimet e Rënda, Izet Haxhisë i është kërkuar që të ngrihet nga furgoni dhe në atë moment sipas tij mjeti ka frenuar ashpër. Po ashtu ai tha se Haxhiajt i është përplasur koka në kafazin e furgonit, ndërsa e konsideroi incidentin, një mesazh për t’i mbyllur gojën

Marrë shkas edhe nga ngjarja që tronditi Kavajën pak ditë më parë, ku i përfshirë rezultoi shefi i sigurisë në burgun e Durrësit, Bledar Toçi, Spartak Braho kërkoi të dijë nga drejtori i burgjeve, nëse përfshihet në vetting policia e burgjeve, te paktën drejtuesit kryesore.

Në përgjigje ndaj deputetit Braho, Ismaili u shpreh se për rastin në fjalë janë marrë të gjitha masat, ndërsa pohoi se ka risk të shtuar që punonjësit e burgjeve mund t’u shesin drogë të burgosurve.
“Kemi marrë masat e duhura për rastin e Kavajës. Ka rrisk të shtuar që punonjësit e burgjeve mund t’u shesin drogë të burgosurve. Kemi bërë kallëzime penale edhe për drejtorë burgjesh që kane bërë shkelje në futjen e sendeve të ndaluara. Nuk është marrë asnjë polic në punë pa kaluar verifikimin e përshatshmërinë nga institucionet.” u shpreh Ismaili.

Ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve shtoi se sa i takon takimeve preferenciale në burgje, fenomeni ka marrë goditje të fortë, dhe sot asnjë i burgosur nuk bën më shumë se 4 takime në muaj.

“ Ka pasur trajtime preferenciale për të burgosurit për sa u përket takimeve, ambjenteve, ushqimeve etj. Por kane marrë goditje të fortë. Sot asnjë i burgosur nuk bën më shumë se 4 takime në muaj” tha Ismaili në përgjigje të deputetit Braho.


TË NGJASHME