HomeSociale

Durrës/ IMT-ja prish murin rrethues të shtëpisë me hipotekë

Kamera e emisionit BOOM ka udhëtuar në Durrës, për të parë rastin e Enver Hysollit, të cilit i është prishur muri rrethues i shtëpisë, edhe pse e ka me hipotekë

Ai është banues në lagjen 14 Shkozet në Durrës dhe zotëron shtëpi dhe truall me certifikate pronësie.

Këtë prone zoti Hysolli e ka blerë në vitin 2002 dhe me pas konform rregullave ka shkuar te Aluizni për ta legalizuar.

Edhe pse zotëron dokumentacion të rregullt në nëntor të vitit 2018 IMT-ja e Durrësit ka shkuar për t’i prishur një pjesë të murit rrethues të shtëpisë duke lënë aty një gërmadhë. Zoti Hysolli vendosi ta beje publik këtë fakt pasi ai e ka shtëpinë të hipotekuar.

Enver Hysolli: IMT- ja e Durresit erdhi dhe me prish murin rrethues që e kam bërë në tokën time që në 2002. Ma kanë prishur në 19 nëntor 2018. Shtëpinë e kam me çertifikatë pronësie, mirëpo arsyen pse e prishën nuk e dimë. Mur rrethues nuk bllokon rrugën publike. Kërkesa ime është kjo që murin rrethues që e kam me dokumenta ta bëj edhe njëherë atje ku ishte se e kam në tokën time dhe jo në tokën e shtetit. Dua që edhe mbeturinat të vijnë ti pastrojnë ata. 

Gazetarja e BOOM shkoi edhe tek IMT-Ja e Durrësit për të pyetur kryeinspektorin Ardian Halili se mbi baze te cilit urdhër ka vepruar për të prishur murin rrethues të familjes Halili. Edhe pse kryeinspektori e njeh mirë rastin, nuk pranon të japë një përgjigje.

Gazetarja: Pranë nesh ka ardhur një zotëri i cili pretendon se ju keni bërë një ndërhyrje në shtëpinë e tij pa të drejtë, më saktë në murin rrethues të cilin ia keni prishur.

Kryeinspektori IMT: ëhë…

Gazetarja: Por në fakt zotëria këtë objekt e ka të hipotekuar.

Kryeinspektori IMT: Më lini dokumentacionin këtu të bëj dokumentacionin gati dhe hajdeni në një moment të dytë të merrni gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Gazetarja: Në bazë të cilit urdhër keni vepruar?

Kryeinspektori IMT: Nuk mund ta them tani se ka shumë çështje.

Gazetarja: Në fakt ju e dini shumë mire këtë rast, nuk është një gjë që nuk e dini. Pyetja ime është e thjeshtë në bazë të cilit…

Kryeinspektori IMT: Unë kam punë tani , kam mbledhje.

Gazetarja: Si është konstatuar që është ndërtim pa leje? Ka një certifikatë pronësie.

Kryeinspektori IMT: Më bëni një kërkesë dhe unë do ju vë në dispozicion gjithë praktikën.

Mbylle derën Megi të lutem!

Gazetarja: Por ju e dini…

Kryeinspektori IMT: Ju do bëni një kërkesë me shkrim te zyra ime.

Gazetarja: Kur mund të vij për ta marrë përgjigjen?

Kryeinspektori IMT- Me të bërë dokumentacionin më lini një numër kontakti, do t’ju kontaktoj.

Gazetarja: Sa kohë vonon një ditë, dy ditë, një javë?

Kryeinspektori IMT: Zonjë ditën e mire.

Gazetarja: Unë do të rikthehem në një moment të dytë

Gazetarja: Sapo më tha kryeinspektori ta bëj kërkesën këtu.

Sekretarja:  Në Bashki te zyra e informacionit se ne varemi nga Bashkia. Kryeinspektori nuk ka si të thotë sepse unë nuk i pranoj.

Kryeinspektori IMT-: Ju do bëni një kërkesë me shkrim te zyra ime.

BOOM iu drejtua me kërkese për informacion edhe bashkisë Durrës dhe jemi në pritje të përgjigjes.


TË NGJASHME