HomeLajme

Durrës, stuhia shkatërron serat

Moti i keq që përfshiu të gjithë gjirin e Durrësit pasditen e së hënës dëmtoi sipërfaqe të tëra me të mbjella dhe sera perimesh në periferi dhe zonat rurale.

Fermerët presin ndihmë pas vlerësimit të dëmit.

“Një katastrofë natyrore. Një erë e fuqishme, ciklon. Dëmi i pallogaritshëm. Miliona euro të investuara. Ne kërkojmë ndihmë nga shteti. Ka dëmtuar domaten, sallatën… Ishin në prodhim. Punojmë prej muajsh këtu e gjithçka shkoi dëm. Dëme në njerëz nuk kemi, se dëm material plot. Jemi të rregullt e presim që dëmi të vlerësohet. Presim mbështetje nga shteti e veçanërisht nga bashkia”, thotë një fermer.

“Ishte ora 17:15 kur unë dola i fundit nga sera. U bëra kaq dhe nuk kam parë atë lloj tornadoje. Do të ishte katastrofike sikur të kishte ndodhur dy orë më parë, kur të gjithë ishin në punë. Dëmi është shumë i madh dhe ne nuk mund ta rindërtojmë dot. Shteti duhet të vejë dorë”, shprehet një tjetër.

“Nuk ka as komision nga bashkia, as nga njësia administrative, as nga qeveria. E ka dëmtuar çdo gjë. Ka marrë fund çdo gjë. Jemi me duart përpjetë”, thekson një fermer tjetër.

Këta banorë, së bashku me të tjerë, kishin bashkuar forcat për t’ia dalë mbanë me prodhimin dhe mbulimin e kërkesës së tregut për perime të freskëta në çdo stinë, por mjaftuan vetëm pak minuta për të shkatërruar të gjithë investimin e tyre, duke i lënë të ndihen të pafuqishëm për ta rimëkëmbur, edhe pse deklarojnë se e kanë të siguruar aktivitetin e tyre bujqësor.


TË NGJASHME