HomeSport

E ardhmja e de Ligt në dilemë, Juventus e PSG, superoferta në drejtim të tij

Pas një sezoni fantastik me Ajax, de Ligt ishte destinuar ta vazhdonte karrierën në një prej klubeve më të mëdhenj në Europë, te Barcelona. Mirëpo, negociatat u ndalën papritur dhe e ardhmja e de Ligt mori tjetër rrjedhë. Tani në garë për shërbimet e mbrojtësit hollandez, janë futur edhe PSG e Juventus. Për më tepër, ofertat e tyre, janë shumë herë më të larta se ajo e klubit katalanas. Barcelona i ofroi de Ligt një kontratë ku ai do të përfitonte rreth 6 milionë euro në sezon, kurse oferta e Juventusit është 10 milionë euro në sezon dhe ajo e PSG është plot 12 milionë euro, dyfishi i ofertës së klubit katalunjas.

Nga Spanja, vijnë lajme të sigurta se Barcelona nuk ka ndërmend të paguajë më shumë për qendërmbrojtësin sado i talentuar që është. Juventus, shpreson që de Ligt të joshet nga ideja për të luajtur në një skuadër me C.Ronaldon por ky operacion nuk është aspak i lehtë pasi kosto në total duke përfshirë kartonin dhe pagën e lojtarit shkon në 100 milion euro.

De Ligt nuk është objektivi i vetëm i Paraticit për mbrojtjen, një tjetër opsion është dhe Kostas Manolas. Mbrojtësi grek mund të jetë pjesë e një shkëmbimi pasi Roma do të kërkoj një sulmues pas largimit të Dzekos, ndërsa Juventus kërkon të gjejë një skuadër të re për Higuanin. Klauzola e largimit të Manolas është 36 milion euro, aq sa vlerësohet “El Pipita”.


TË NGJASHME