HomeSport

E bujshme, Milani kërkon Igli Taren për drejtor sportiv

Drejtori sportiv më i mirë në Itali në sezonet e fundit. Goditje të zgjuara, me lojtarë të vlerësuar pak në merkato, por që në harkun e pak sezoneve shndërrohen në yje ndërkombëtarë te Lacio. Igli Tare i ka mahnitur të gjithë me punën e tij, aq sa shpeshherë ka përfunduar në radarët e klubeve më të mëdhenj.

Më i fundit në listë është Milani, që e vlerëson ish-kapitenin e Shqipërisë si pasardhësin e Masimiljano Mirabelit, që do të largohet nga kuqezinjtë pas diçka më tepër se një viti në detyrë. Puna e tij te “Djalli” nuk ka lënë mbresa, sepse pas 230 milionë eurove të shpenzuara gjatë verës së kaluar, Milani nuk arriti të renditej mes katër të parave në Serinë A.

Pas ndryshimit të pronësisë së klubit, Milani është vënë në kërkim të një drejtori sportiv të ri dhe ka nisur të studiojë alternativat. Nevojitet një figurë e aftë që të punojë në sinkron me Leonardon, i cili do të zyrtarizohet si drejtor teknik.

Rivali i Igli Tares është Kristiano Xhuntoli, që duket drejt largimit nga Napoli. Megjithatë, edhe shqiptari është në pozita mjaft të mira, sepse ka arritur të punojë në mënyrë të shkëlqyer në merkato, me buxhet tejet të ulët. Një tjetër alternativë për Milanin është rikthimi i Ariedo Braidas, që aktualisht është drejtori i punëve të jashtme te Barcelona/sportekspres.com


TË NGJASHME