HomePolitikë

Ecuria e premtimeve: Shembulli i TVSH për energjinë, dëshmi e papërgjegjshmërisë së partive

Ecuria e Premtimeve: Shembulli i TVSH për energjinë, dëshmi e papërgjegjshmërisë së partive 

Panorama e premtimeve elektorale të disa prej proceseve zgjedhore nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e forcave politike. Qartësisht ato marrin angazhime publike të natyrës populiste, pa u bazuar mbi një analizë të thelluar të treguesve ekonomiko-financiar. Rrjedhimisht, qasja e tyre ndaj premtimit të dhënë ndryshon rrënjësisht kur janë në opozitë dhe pasi marrin të drejtën për të qeverisur vendin. Një prej rasteve ilustruese është çmimi i energjisë elektrike.

Sipas raportit zyrtar të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2004, niveli i humbjeve totale kundrejt energjisë së futur në rrjet në Shqipëri rezultonte 39.7%. PD në opozitë, premtoi në programin e saj elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Korrikut 2005 se do të ulte TVSH për energjinë për familjarët nga 20% në 6%. 

PD i fitoi zgjedhjet e Korrikut 2005 ndërsa niveli i humbjeve të energjisë për këtë vit arriti në 40.9%. Në vitin 2005, çmimi ishte 4.5 lekë/kilovat për konsumin brenda fashës dhe 9 lekë/kilovat për konsumin mbi fashë. Në vitin 2006 u ndryshua çmimi duke u rritur në 7 lekë/kilovat dhe u hoq fasha mbrojtëse. Për ambientet?e?përbashketa u rrit si tarifë nga 4.5 në 7 lekë/kilovat. Kjo skeme funksionoi për vitet 2006 dhe 2007. Në vitin 2008 bëhet ndërhyrja?e?dytë duke rikthyer fashën mbrojtëse, duke mbajtur 7 lekë/kilovat konsumin brenda fashës, 7 lekë/kilovat çmimin për ndriçimin?e?ambienteve të përbashkëta dhe duke rritur në 12 lekë/kilovat çmimin mbi fashën mbrojtëse. Në vitin 2008 vendoset dhe një tarifë fikse 200 lekë për shërbimin?e?leximit zero lekë/muaj. Kjo skemë çmimi u mbajt në fuqi për vitet 2008-2009. 

Pavarësisht se PD ishte në kushtet e pamundësisë për të përmbushur premtimin e dhënë për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike, LSI në opozitë, në programin elektoral të vitit 2009 premton “subvencionojmë energjinë për 300 kilovat/orë në muaj për konsumatorët familjarë të varfër”. Ndërkohë humbjet totale në rrjetin elektrik për vitin 2008 rezultonin në nivelin 34%. 

Në vitin 2010 bëhet ndryshimi i tretë i çmimit: konsumi brenda fashës mbrojtëse rritet si çmim në 7.7 leke/kilovat, konsumi mbi fashën mbrojtëse rritet në 13.5 lekë/kilovat; tarifa për ambientet?e?përbashkëta rritet në 8 leke/kilovat dhe mbetet 200 lekë tarifa fikse?e?shërbimit për leximin zero. Ky çmim u mbajt pa prekur për vitet 2010-2014. 

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj, PD nuk mundi të mbante premtimin për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike. Në seancën parlamentare të 23 Dhjetorit 2011, Partia Socialiste në opozitë paraqiti një amendament në projektbuxhet ku propozonte mes të tjerave edhe “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ulet nga 20% që është sot, në 17%. Do të adoptohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% vetëm për furnizimet me energji elektrike”. PD rrëzoi propozimin e opozitës socialiste me pretendimin se synon goditjen e qëllimshme të qeverisë në financat publike. Niveli total i humbjeve në rrjet për vitin 2011 rezultoi të ishte 35.6%. 

Ndonëse humbjet në rrjetin elektrik do të rriteshin dhe në vitin 2012 do të arrinin 43.9% duke e futur sistemin në kolaps financiar ndërsa konflikti me kompaninë CEZ Shpërndarje arriti kulmin, opozita nuk do të nguronte të “peshkonte” votuesit në fushatën elektorale të Qershorit 2013 me premtimin për ulje të TVSH-së për energjinë. Në programin elektoral të “Rilindjes” parashikohej ulje e TVSH-së për energjinë elektrike në nivelin e 6 % për konsumatorët familjarë. PD në qeverisje do të mjaftohej me një premtim për subvencionim të energjisë elektrike për pensionistët. Më e çlirët në propozime dukej LSI, një forcë politike që vinte nga bashkëqeverisja me demokratët dhe rreshtohej në koalicionin opozitar 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare. LSI premtoi 400 kilovat/orë në muaj subvencionim energjie për familjet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. 100 kilovat/orë në muaj falas për familjet në nevojë dhe kryefamiljarët pensionist ndërsa për sasinë prej 100 deri 400 kilovat/orë çmimi energjisë elektrike do të ulej nga 9 lekë në 5 lekë. LSI angazhohej që të nxirreshin nga skema e subvencionimit familjet me të ardhura të larta ose ato që konsumojnë mbi 600 kilovat/orë në muaj. 

PS bashkë me LSI i fituan zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2013 dhe krijuan një qeveri koalicioni. Niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjet në fund të vitit 2014 ishte 35.7%. Qeveria nxiti reformimin e sistemit të tarifave të energjisë elektrike. Energjia nuk do të faturohej më tej me dy fasha, por vetëm me një të tillë dhe çmimi unifikohej në 9.5 lekë/kilovat. Kjo nënkuptonte rritje të çmimit për ata klientë familjarë të cilët më herët konsumonin deri 300 kilovat orë dhe tarifoheshin me 7.5 lekë/kilovat. 

Pamundësia e PS për të mbajtur premtimin e dhënë për uljen e TVSH-së për energjinë nga 20% në 6% për konsumatorin familjar nuk e pengoi PD në opozitë, që në programin elektoral për vitin 2017 të rikthente premtimet populiste. PD premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe falje të kamatëvonesave dhe u angazhua se 300 kilovat energji elektrike do të paguhen nga shteti për familjet në nevojë. 

Ndërsa palët i drejtohen zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit dhe partitë politike i ndërrojnë rolet herë në opozitë e herë në qeverisje, TVSH për çmimin e energjisë elektrike vazhdon të jetë 20%.? 


TË NGJASHME