HomeSport

Ederson rinovon kontratën me Manchester City deri më 2025

Portieri brazilian, Ederson Moraes, ka zgjatur kontratën e tij aktuale me Manchester City edhe për dy sezone të tjera. Ai do të mbetet në klubin anglez, që fitoi titullin e Premier League këtë sezon, deri në vitin 2025. Ky lajm është bërë publik nga faqja zyrtare e klubit britanik.

Braziliani u bashkua me “qytetarët” nga Benfica sezonin e kaluar dhe gjatë një viti të parë të bujshëm në Angli e ka mbajtur portën të pastër në 21 raste. Ai është nominuar për çmimin e portierit më të mirë të ri të vitit në Angli nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë.

“Unë jam i kënaqur që kam nënshkruar një kontratë të re, – tha Ederson për “CityTV”. – Kjo do të thotë se klubi është i kënaqur me punën time, beson te mua. Shpresoj t’i përmbush pritshmëritë e tyre dhe t’u jap tifozëve sa më shumë gëzim. Dua të fitoj gjithçka që mundemi. Në të gjitha garat, por për mua, Liga e Kampionëve është shumë e veçantë dhe përbën një ëndërr për ta fituar me fanellën e Manchester City”.

Nga ana e tij, drejtori i klubit, Txiki Begiristain, komenton rinovimin e portierit brazilian:“Ederson ka treguar gjatë sezonit të tij të parë se ka të gjitha atributet për t’u bërë një nga portierët më të mirë në botë. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, por aftësia për të luajtur topin e bën më të veçantë. Ne duam ta shohim evolucionin e tij me Manchester City gjatë viteve të ardhshme”/mapo.al


TË NGJASHME