HomeLajmi i Fundit

Ekstradohet nga Italia 28-vjeçari, si i vrau në banesë babë e bir

Ekstradohet nga Italia 28-vjeçari shqiptar që ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e babë e bir në Elbasan, në vitin 2012. 

Interpol njofton se ka bërë sot ekstradimin e shtetasit Etion Cani, i kërkuar për vrasjen e shtetasve Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqirit.

NJOFTIMI

Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët. Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.

Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

HISTORIA/ 

Në gusht 2012 gjykata kishte vendosur për Gentian Beqirin të ‘arrest shtëpie’, ku e ruanin dy policë, por hasmi arriti të futet brenda, në sy të policisë, e ta vrasë në gjumë.

Në atë kohë fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit.

Por më pas Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit.

Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.

Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.

Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishte nën ruajte.

Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.

Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazarë.

Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.

Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Dera e banesës ishte në një kthinë të sheshpushimit ku qëndronte polici rojë, i cili siç mësohet nuk ka vënë re asgjë të pazakontë.

Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë rojë. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.

Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur pasi të dy personat kanë vrapuar duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej 2.5 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.

Sipas Policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup. Dyshohet se në momentin e ngjarjes 40-vjeçari ndodhej ende në gjumë.