HomeSport

Elseid Hysaj i preferuari i Simeones/ Atletico, tjetër ofertë për anësorin shqiptar

Atletico Madrid dhe Diego Simeone, nuk heqin dorë nga Elseid Hysaj. Anësori shqiptar, është shumë i pëlqyer nga tekniku Simeone dhe ky i fundit, po bën të pamundurën për të arritur një marrëveshje me Napolin.

Klubi spanjoll, është në kërkim të një mbrojtësi të djathë dhe pasi Semedo tregoi se dëshironte një kalim te Barcelona, Hysaj u kthye në objektivin kryesor. Drejtuesit e Atletico, janë duke negociuar me klubin italian për të arritur sa më shpejt një akord, madje sipas të përditshmes spanjollë “AS” edhe oferta është rritur në 20 milionë euro.

Pasi afroi në ekip Di Lorenzo, Napoli nuk e sheh më të nevojshëm mabjetjen e Hysaj në ekip dhe largimi i tij është i pashmangshëm. Një vit më parë klauzola për largimin e Hysaj, ishte plot 50 milionë euro, por këtë vit çmimi i tij ka rënë.

Atletiko është gati të ofrojë 20 milionë, 5 më shumë nga oferta e parë që bëri në drejtim të napolitanëve. Nuk dihet nëse kjo shifër do të pranohet nga Napoli, skuadër e cila kërkon 25 ose 30 milionë. Megjithatë, Atletico ka bërë një hap përpara dhe tani u takon drejtuesve të Napolit që të bëjnë një lëshim në arritjen e marrëveshjes. Hysaj e ka pranuar se aventura e tij me Napolin ka përfunduar dhe kërkon të nisë një sfidë të re. Dëshira e tij është jashtë Italisë, ku përveç Atletikos, edhe Mançester Junajtid ka kërkuar informacione. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një transferimi të mundshëm te Juventusi për shkak të raportit special që Hysaj ka me trajnerin Maurizio Sarri.

Mbrojtësi shkodran e pati shumë të vështirë që të ishte një titullar i paprekshëm te Napoli, për shkak se Anceloti ndryshoi metodën e lojës dhe kërkonte më shumë lojë sulmuese nga mbrojtësit e tij. Shkodrani do të ishte i lumtur nëse sezonin e ardhshëm do të aktivizohej në “Wanda Metropolitano”. Simeone e vlerëson shumë për faktin se ai mund të aktivizohet në të dyja krahët e mbrojtjes.


TË NGJASHME