HomeLajme

Emrat/ Ja kush janë ‘shenjestra’ e sotme OFL

Operacioni Forca e Ligjit ka nxjerrë sot emrat e dy personave të tjerë të cilët duhet të deklarojnë pasurinë. Ata janë Klaus Metushi i njohur ndryshe me emrin Klodjan Çopja dhe Emiljan Shegës, të dy të dënuar në Angli për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas prestigjozes britanike “Daily Mail”, në maj të 2018 shtetasi Klodian Copja rezulton i përfshirë në trafikun e drogës në Britani.

Në gusht të 2017, ai u burgos për 17 vjet në Kingston Crown Court në Surrey për shkelje të rënda të drogës. Ndër të tjera “Daily Mail” shton se banda e tij ultra e dhunshme e shqiptarëve të tjerë nga Elbasani kishin importuar 150 milionë paund kokainë në Britani të Madhe. Gjatë çështjes gjyqësore, doli se një nga korrierët e tij u vëzhgua nga policia kur bënte udhëtime javore në një mafioz në Maidstone, Kent, ku do të takonte një kamion me kokainë të importuar nga kontinenti. Ndërlidhësi do të furnizonte me drogë grupet e krimit të organizuar në Londër, Birmingham, Leicester dhe Nottingham.

Media britanike shkruan se i riu nga Elbasani, me paratë e fituara nga trafiku, kishte hapur një biznes në qytet, bar-kafenë “Living”. Çopja e kishte vendosur biznesin në emrin e nënës së tij 62-vjeçare.

Inspektori Nick Blackburn, i cili hetoi çështjen, për “The Standard” tha: “Ai nuk kishte asnjë gjurmë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai përdorte dokumente false dhe shumë karta identiteti dhe nuk ishte dënuar më parë. Ishte shumë e vështirë për ne të gjenim se ku ishte më të vërtetë ky individ”.

Personi tjetër që Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi sot formularin e pasurisë është Emiljan Shega. Ai është arrestuar 10 vite më parë si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi drejt Mbretërisë së Bashkuar lëndë narkotike me vlerë 10 milion paund. Gjatë aksionit të policisë, droga u gjet e fshehur nën parketin e dyshemesë, të mbuluar me qilimë, mbi të cilët ishte vendosur edhe një divan. Asokohe Shega u dënua me 10 vite burg nga autoritetet britanike.

Sipas policisë, të dy këta subjekte me banim në Elbasan, do të duhet që brenda 48 orëve të deklarojnë burimin e pasurisë së tyre.


K.S/ GotaNews


TË NGJASHME