HomeSociale

EMRAT/ Kanabis drejt Malit të Zi, si u kapën pas përgjimeve 5 trafikantët

Detaje nga aksioni i djeshëm që vuri në pranga pesë persona, teksa po transportonin mbi 200 kg lëndë narkotike.

Ky aksion policor është realizuar nga Forcat Operacionale të Posaçme të Tiranës, të cilët kanë vënë në pranga në kushtet e flagrancës të akuzuarit. Ndër të arrestuarit kryesor të grupit të trafikantëve nga Shkodra janë Zef Kola dhe Genc Meçaj. Ndalimi i tyre është bërë në aksin nacional Shkodër-Hani i Hotit që lidh Shkodrën me Malin e Zi. Ata që po transportonin sasinë e drogës prej rreth 300 kg po udhëtonin me një furgon dhe për një moment janë ndalur te një lokal në Malësinë e Madhe.

Sapo kanë zbritur dhe janë futur te lokali, Forcat Operacionale të Posaçme të Policisë, të ardhur nga Tirana, kanë vepruar menjëherë duke i rrethuar dhe duke bërë në mënyrë të menjëhershme arrestimin e tyre. Ata nuk kanë bërë rezistencë dhe kanë pranuar që të shoqërohen në mjediset e Komisariatit të Policisë së Shkodrës.

Pas kontrollit të bërë në furgon, Policia ka gjetur 205 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si e llojit kanabis sativa. Menjëherë Policia ka bërë sekuestrimin e sasisë së drogës të gjetur dhe mjeteve me të cilat po udhëtonin këta shtetas. Ajo që dyshohet është se kanabisi kishte destinacion që të transportohej drejt shtetit fqinj të Malit të Zi.

Pak kilometra pa mbërritur në doganën e Hanit të Hotit që lidh dy shtetet, Shqipërinë dhe Malin e Zi, pesë shtetasit me në krye të dyshuarin kryesor të Policisë, Gentjan Meçajn, u arrestuan. Hetimi mbi këtë grup që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Malin e Zi, janë kryer nga Prokuroria Shkodër, pas informacioneve të dhëna nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shkodrës.

“Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në prani të shtetasve Z. K. dhe G. M., të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal. Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë. Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip furgon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë”, bëhet me dije nga Policia.

Të ndaluarit prej disa muajsh hetoheshin përmes metodave speciale, mes të cilave edhe përgjimet telefonike dhe ato ambientale, që kanë çuar në finalizimin e këtij operacioni, ndërsa Policia ka marrë informacion edhe në rrugë operative për këtë grup. Trafikimi i drogës nga Shqipëria në Malin e Zi përmes pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Muriqanit është kthyer në një shqetësim. Pavarësisht masave të shtuara dhe kontrolleve në doganë, sërish rrugët e trafikut vijojnë të jenë prezente dhe për më tepër duke sjellë një situatë shqetësuese.

Te arrestuarit 

• Zef Kola 53 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh. (kryetar i grupit të strukturuar kriminal);
• Genc Meçaj 31 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”. (bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të grupit);
• Kristjan Melaj, 28 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar);
• Elvis Hysaj, 29 vjeç, banues në Malësi e Madhe (anëtar);
• Xhusepe Delaj, 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar).panorama.al


TË NGJASHME