HomeLajmi i Fundit

EMRAT/ Vrasje, kanosje, trafikim dhe drogë, OFL i kërkon llogari 4 subjekteve në Tiranë: Deklaroni pasurinë brenda 48 orëve

Operacioni Forca e Ligjit është ndalur sot në Tiranë, ku iu ka kërkuar 4 subjekteve që të deklarojnë pasurinë e tyre brenda 48 orëve. Bëhet fjalë për shtetasit; Nderim Markola, Durim Dervishi, Kliton Nanushi si dhe Ergys Mëcukun.

Sipas OFL-së, Markola, banues në Tiranë, rezulton i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, Dervishi, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Po ashtu, mësohet se Nanushi është i dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur” si dhe Mëcuku rezulton i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

NJOFTIMI
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

N. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;

D. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

K. N., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”;

E. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.