HomeLajmi i Fundit

Emri, arrestohet autori i vrasjes së shoferit në Gjirokastër

Policia ka arrestuar autorin e vrasjes së Gëzim Saraçi, shoferi i një kamionçine që u gjet i pajetë brenda mjetit të tij në Gjirokastër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.

Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.