HomeSport

Ethet e Champions, Partizani përballet me Qarabag

Ditën e sotme, në “Selman Stërmasi”, Partizani do të ketë provën e parë për sezonin e ri. Në 17:30, kampionët e Superiores do të përballen me Qarabag. Vitet e fundit, Qarabag ka arritur të jetë pjesë e fazës së grupeve në Champions League, nga ana tjetër Partizani kërkon të tregojë se mund të jetë skuadra surprizë. Kjo ndeshje do të jetë edhe debutimi i parë për teknikun Lerda, i cili në një intervistë është shprehur:

“Ne jemi kampionët e Shqipërisë dhe krenarë për këtë. Partizani ka pika të forta por të dobëtat duhet ti kërkojë Karabaku. Rezultatin do ta tregojë fusha por pres një ndeshje pozitive. karabaku është i fortë, ka marrë 6 tituj radhazi dhe ka lojtarë me kualitet”.

Intensiteti i fazës përgatitore në Slloveni ka përmirësuar gjendjen e skuadrës së vetme shqiptare në Ligën e kampioneve, që përkundër shortit të vështirë, do të provojë të prishë balancat që këtë mesjavë ndaj Karabakut. Për azerët që nuk pranojnë të quhen favoritë, edhe barazimi do të ishte pozitiv.

Nga ana tjetër, Gurban Gurbanov, trajneri i Qarabag ka thënë:“Do donim të fitonim por edhe një barazim do ishte i mirë për ne. Duam të mbajmë portën të paprekur. Ne nuk e ndjejmë veten favoritë pasi jemi në Ligën e kampioneve dhe këtu ekipet janë të barabarta”.

Gurbanov nuk mund t’i shpëtonte dhe interesimit për ish-futbollistin shqiptar të Qarabag, Ansi Agollin.

“Ansi nuk u largua thjesht nga një ekip, por nga një familje. E ndjejmë shumë mungesën e tij, jo thjesht si një lojtar”, u shpreh trajneri.

Ndeshja e kthimit mes Qarabag dhe Partizanit do të zhvillohet në 17 Korrik në Azerbajxhan.


TË NGJASHME