HomeRajon

Eurogrupi: Italia të marrë masat e nevojshme ekonomike

Mario Çenteno, kreu i grupit me 19 vende të eurozonës, deklaroi të premten pas takimit në Luksemburg se sanksionet janë të justifikuara. Ai ftoi qeverinë italiane të marrë masat e nevojshme ekonomike që të përputhen me legjislacionin evropian.

Organi ekzekutiv i BE-së ka paralajmëruar një gjobë disa miliarda dollarë nëse Roma nuk e ul borxhin publik që ka arritur në nivelin 132 për qind, apo dyfishin e vlerës limit.

Komisioni Europian ka kërkuar që Italia të japë fakte, shifra dhe të dhëna konkrete si mendon të dalë nga situata e vështirë.

Mbledhja e ardhshme e Eurogrupit është vendosur të mbahet në muajin korrik, kur pritet të merret edhe vendimi final për penalitetet.

Ndërkohë, pas takimit maratonë prej 15 orësh një ditë më parë, ministrat e financave nuk gjetën konsensus për idenë e presidentit francez, Emanuel Makron, rreth krijimit të një buxheti të përbashkët për vendet e eurozonës.

Palët u ndanë për çështjet si burimi i të ardhurave, madhësia e buxhetit, apo edhe për rolin e tij si stabilizues apo promovues në rastet e vështirësive ekonomike.


TË NGJASHME