HomeSport

Europa League/ Laç arrin barazimin, Kukësi dhe Teuta humbje të thella

Edhe pse në shortin e Europa League, Teuta kishte shortin më të lehtë, durrsakët dështuan të marrin një rezultat pozitiv në sfidën e parë. Ndaj letonezëve të Ventspils, ‘djemtë e detit’ u mposhtën me rezultatin 3-0.

Sergiychuk, shënoi i pari për skuadrën letoneze në minutën e 5-të, por më e keqja për Teutën, erdhi në pjesën e dytë, ku u ndëshkuan edhe dy herë të tjera. Ulimbasevs në minutën e 78-të dhe Tosin në minutën e 88-të, vulosën shifrat 3-0. Me këtë rezultat, përmbysja duket një mision tejet i vështirë.

Nga ana tjetër, Laçi ishte skuadra që tentoi dhe për pak sa nuk arriti surprizën më të bukur. Përballë një skuadre tejet të fortë si Hapoel Beer Sheva, laçianët kishin avantazhin për plot 75 minuta.

Kurbinasit gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 3-të me anë të sulmuesit Nëabueze dhe për plot 75 minuta rezultati ishte në favor të ekipit shqiptar. Megjithatë, ishte zëvendësuesi Gal levi që vetëm pak minuta pas futjes në fushë, prishi festën e kurbinasveduke shënuar në minutën e 78-të, për 1-1.  Kthimi pas një jave në stadium e Hapoel Beer Sheva me startin nga barazimi me gola, përfaqëson një mision të vështirë për ekipin e Starovës.

I fundit në skenën kontinetale zbriti Kukësi që dështoi përballë Debrecenit duke u mundur thellë 3-0. Verilindorët rezistuan vetëm një pjesë loje ndërsa pas pushimit hungarezët shënuan 3 herë. Në limitin e offside, zëvendësuesi Garba shënoi një gol me shumë fat pranë vijës fatale duke i dhënë epërsinë Debrecenit.

Varga dyfishoi rezultain me një zbritje të shpejtë në sulm ndërsa ishte i njëjti futbollist që provoi në distancë dhe mori më të mirën nga e djathta e tij. 3-0 për hungarezët dhe Kukësi kapitullon në premierën Europiane, me shansin e revanshit pas një jave.



TË NGJASHME