HomeSport

Europa League/ Merr fund aventura e Laçit dhe Teutës

Edhe Teuta e Laçi, dështuan në kalimin në fazën tjetër të Europa League. Durrsakët nuk arritën dot të përmbysnin rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë ndaj Ventspils, kurse Laçi pas barazimit në sfidën e parë, u mposht me rezultatin 1-0 në Izrael.

Të besuarit e Blendi Shkëmbit e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe krijuan shumë volum loje, por nuk arritën të shfaqen konkretë në zonë dhe rrezikuan pak kuadratin e miqve nga Letonia. Megjithatë pjesa e parë do te mbyllej me rezultatin 0-0. Në fraksionin e dytë, Sherif Kallaku në minutën e 48 do të shënonte për 1-0 dhe te durrsakët do të ndizej shpresa për një përmbysje. Përpjekjet e “djemve të detit” vazhduan gjatë gjithë pjesës së dytë, por pasimi i fundit ishte i gabuar shumicën e rasteve, ndërsa edhe 2-3 tentativa të sakta drejt kuadratit, u neutralizuan mjaft mirë nga portieri i Ventspils.

U dorëzua në raundin e parë kualifikues të Europa league edhe Laçi, që pasi barazoi 1-1 në sfidën e parë me Hapoel Beer Sheva, në ndeshjen e luajtur në Izrael u mund 1-0 me golin e shënuar nga Sabag në minutën e 69. Pas këtyre rezultateve, futbolli shqiptar ka mbetur me vetëm 1 përfaqësues në Evropë, Partizanin që pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, do të luajë në Europa League me Sheriff Tiraspolit.


TË NGJASHME