HomeSport

F1, Raikkonen fiton Çmimin e Madh të Amerikës

Gjatë mbrëmjes së të dielës, Lewis Hamilton u detyrua të presë të paktën deri garën e ardhshme, pasi përfundoi i treti në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, në Austin të Teksasit. Triumfi i takoi ferraristit Kimi Raikkonen, i cili arrin kështu fitoren e parë në mbi 5 vite.

Rivali i drejtpërdrejtë për titull i pilotit britanik, Sebastian Vettel përfundoi në vendin e katërt, duke bërë që gara për titullin kampion bote të vendoset me shumë gjasë në Meksikë, fundjavën e ardhshme.

Sa i përket garës amerikane, Max Verstappen me Red Bull përfundoi në vendin e dytë, edhe pse u nis nga vendi i 18.

Raikkonen, i cili do të largohet për te Sauberi në fund të sezonit, mori kryesimin në xhiron e parë dhe vijoi më pas me strategjinë dhe taktikën e tij deri në fund, për të rrëmbyer fitoren e 21-të në karrierë. Kjo ishte fitorja e parë pas 113 garash, periudha më e gjatë mes dy fitoreve në historinë e Formulës 1, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga italiani Riccardo Patrese.

Shoku i skuadrës së Hamiltonit, Valtteri Bottas e mbylli garën në vendin e 5-të, përpara Nico Hulkenbergut dhe Sainzit, që të dy me Renault. Esteban Ocon me Force India doli në vendin e 8, ndërsa dhjetëshen e plotësuan Kevin Magnussen me Haas dhe Sergio Perez me Force India.


TË NGJASHME