HomeSociale

Falja e taksës vjetore të mjeteve të transportit, ja kush përfiton

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhja ka njoftuar kompensimin e Taksës Vjetore të Mjeteve të Përdorura për vitin 2020 në vlerën 100% për një kategori të caktuar automjetesh.

Gonxhja bën me dije se paketa e solidaritetit kap vlerën e 1.4 milion euro, ndërsa saktëson se përfituesit janë 7,204 mjete të kategorisë autobus (mbi 8+1), por jo ata që janë debitorë në detyrime të mëparshme.

“Një shembull solidariteti nga DPSHTRR-MIE për sektorin e transportit rrugor të pasagjerëve ku një ent publik me vetëfinancim, nisur nga rezultatet e mira për 2019-ën ofron, nga të ardhurat e veta të akumuluara, të mbulojë 100% taksën vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP), për gjithë vitin 2020, për 7,204 mjete! Nga kjo paketë solidare e DPSHTRR-së në vlerën 170,194,500 lekë (ose 1,4 milionë euro) përfitojnë 7,204 mjete të kategorisë autobus (mbi 8+1):

Transport qytetës,

Transport rrethqytetës,

Transport ndërqytetës,

Shërbime të rastit (turistik brenda e jashtë vendit),

Ndërkombëtar të rregullt,

Transport për personele,

Transport për llogari të subjekteve brenda e jashtë vendit.

Subjekteve përfituese, që kanë kryer pagesën e TVMP-së për vitin 2020, kompensimi do t’u bëhet sipas radhës së datës së pagesës së ardhshme, duke i zbritur detyrimin përkatës të paguar tashmë!

Nuk përfitojnë nga ky vendim të gjitha subjektet që rezultojnë debitore dhe nuk kanë kryer pagesën e TMVP-së për vitet paraardhëse. Përjashtimisht, këto subjekte përfitojnë vetëm nëse paguajnë detyrimet e prapambetura brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pra 5 Gusht 2020!”, njofton kreu i DPSHTRR.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME