HomeLajme

Falsifikonin biletat e Unazës, ja dënimi për 2 nga 8 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës la në burg administratorët e dy kompanive të trasportit Urban, të cilët në bashkëpunim me vartësit e tyre falsifikonin biletat e udhëtimit, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit.

Bëhet fjalë për Ferdinand Ibrahimin, administrator dhe ortak i vetëm i subjektit  “Ferlut”, i cili në këmbim të lirisë së tij dhe të birit, ofroi garanci pasurore shumën prej 6 milionë lekësh,  si dhe Fatos Vrapin, administrator i shoqërisë “Alba Trans”.

Me kërkesë të prokurorisë u liruan Albana Vrapi, administratore e shoqërisë “Alba Trans” dhe Erisa Vora, administratore e shoqërisë Tirana Urban Trans.

Në burg u lanë katër punoinjësit e këtyre tri kompanive, të cilët kishin si detyrë direkte të pajiseshin me biletat e udhëtimit dhe t’i shpërndanin më pas ato.

Ndaj të dyshuarve, rëndojnë akuzat: “falsifikimi i letrave me vlerë” kryer në bashkëpunim dhe “fshehja e të ardhurave”.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se dyshimet për falsifikimin e biletave të udhëtimit në linjat urbane të Tiranës, u ngritën fillimisht nga shtypshkronja e letrave me vlerë, sipas së cilës disa operatorë shpërndanin bileta, të cilat nuk prodhoheshin prej saj. Mbi këtë bazë, inspektorët e tatimeve, kryen një kontroll në autobuzët e linjave të Porcelanit dhe Tiranës së re dhe konstatuan pasagjerët e këtyre linjave ishin pajisur me bileta false.

Si prova kundër të pandehurve, prokuroria solli jo vetëm raportin e inspektorëve të Tatimeve që fliste për mijëra bileta të falsifikuara, mandate të shumta arkëtimi, por edhe përgjime telefonike.

Në dosje thuhet se në momentin që policia trokiti në derën e Ferdinand Ibrahimit dhe i kërkoi të paraqitej në polici, administrator dhe aksioneri i vetëm i Ferlut ka telefonuar të birin dhe i ka kërkuar të digjte dokumenta. Anastas Ibrahimi rezulton se ka futur në një valixhe blu biletat e falsifikuara dhe ka tentuar t’i zhdukë. Në momentin që ai është ngjitur në makinën e tij luksoze është arrestuar nga policia.

Në seancë gjyqësore, Ferdinand Ibrahimi nuk mundi të shpjegojë sesi biletat janë falsifikuar, por pretendoi para gjykatës së ka bërë dhjetra  kallëzime ndaj punonjësve të kompanisë së tij, kryesisht faturinove, për të cilët kishte dyshime se falsifikonin biletat për shkak të cilësisë së dobët. Për këtë shhkak, ai pretendoi se i është drejtuar me shkresë Drejtrorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që të zëvendësonte sistemin e pajisjes së biletave me dorë, duke e bërë me kupon kasë, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte më abuzime.

Lidhur me abuzimet e kryera me biletat e udhëtarëve të trasportit Urban, Prokuroria ka zgjeruar rrethin e hetimeve, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, si individë të thjeshtë ashtu edhe zyrtarë të shtetit.


TË NGJASHME