HomeSport

Familja e Schumacher akùzohet se ka gënjyer për gjendjen e tij shëndetësore

Menaxheri historik i Michael Schumacher, Willi Weber, ka rrëfyer marrëdhënien e tij me shtatë herë kampionin e botës në F1: “Kanë kaluar shumë vite nga aksidenti, pse familja nuk po thotë të vërtetën?”. Willy Weber, i cili tani është 80 vjeç, pretendon se familja e ish- pilotit të Formula 1 e ka hequr atë nga jeta e Schumacher që nga aksidenti i tij me ski.

Në vitin 2013, Schumacher u shtrua në spital në gjendje kome dhe që atëherë ai nuk është parë më në publik. Weber, i cili ka një libër për jetën e tij të titulluar “Benzina në gják-Michael Schumacher, kali fitues” pretendon se ai nuk e ka parë më ish-klientin e tij që prej ngjarjes së rëndë.

“Ishte një dhimbje e madhe për mua”, tha Weber për La Gazzetta dello Sport.

“Unë u përpoqa qindra herë të kontaktoja Corinnan (gruan e Schumacher) dhe ajo nuk m’u përgjigj. Telefonova Jean Todt për të pyetur nëse duhet të shkoja në spital dhe ai më tha të prisja, është shumë herët.

“Të nesërmen telefonova dhe askush nuk u përgjigj, nuk e prisja një sjellje të tillë dhe jam akoma i zemëruar për këtë. Më mbajtën jashtë, më thanë se është shumë herët, mirëpo tani është vonë. Kanë kaluar nëntë vjet. Ndoshta duhet ta thonë të vërtetën ashtu siç është.”

Ka kaluar gati një dekadë dhe asnjë deklaratë zyrtare nuk ka ardhur për gjendjen e tij, vetëm rrjedhje informacionesh apo deklarata nga miqtë e ngushtë.

“Fillimisht mund ta kuptoja situatën, pasi gjithmonë bëja gjithçka mundesha për të mbrojetur jetën private të Michael. Por që atëherë ne nuk kemi dëgjuar asgjë tjetër veç gënjeshtrave prej tyre. Vite pas aksidentit, i thashë vetes që të kujdesesha vetëm për familjen pasi nuk mund t’i ndryshoja gjërat. Ai ishte si një djalë për mua. Edhe sot më dhemb të flas për këtë.”

Schumacher iu nënshtrua dy operacioneve në Spitalin Universitar Grenoble dhe mbeti në koma për gjashtë muaj para se të zgjohej në qershor të 2014-ës.

Që atëherë, familja Schumacher zgjodhi të qëndrojë e heshtur deri në shtator 2021, kur Netflix publikoi një dokumentar që rrëfen sukseset e tij si shofer garash dhe fatkeqësinë pas aksidentit.

Në vitin 2021, neurologu Erich Riederer shtjelloi më tej gjendjen shëndetësore të Schumacher: “Unë mendoj se ai është në një gjendje vegjetative, që do të thotë se është zgjuar, por nuk reagon. Ai po merr frymë, zemra i rreh, ndoshta mund të ulet dhe të bëjë hapa të vegjël me ndihmë, por jo më shumë. Unë mendoj se ky është maksimumi për të. A ka ndonjë shans për ta parë atë siç ishte para aksidentit të tij? Realisht nuk e mendoj një gjë të tillë.”/ GOTA NEWS ALBANIA


TË NGJASHME