HomeSport

Festojnë kuqezinjtë! Më shumë shanse për në kualifikueset e Botërorit 2022

Fitorja duhej dhe fitorja erdhi. Shqipëria ka triumfuar me meritë kundër Bjellorusisë teksa është imponuar me rezultatin 3-2 në “Air Albania” duke siguruar vendin e parë në grup në ndeshjen e fundit me 11 pikë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja sigurojnë ngjitjen një vazo më lart në Ligën e Kombeve, por kanë shanse të ngjiten edhe në vazot për kualifikueset e Botërorit 2022.

Dopieta e Cikalleshit (gol i shkëlqyer me kokë në minutën e 20, pas krosit të Memollës dhe 7 minuta më pas nga pika e bardhë e penalltisë) e gjithashtu goli i Manajt (44’) vulosën suksesin e kuqezinjve.

Shqipëria e nisi ndeshjen mjaft mirë, por komplikuan gjithçka sërish, vetëm kur iu dhuruam rivalëve një gol nga hiçi në minutën e 35-të. Një pakujdesi e Ismajlit nga një rivënie anësore, lëkundi disi skuadrën në pjesën e parë sepse solli edhe golin e bjellorusëve.

Për afro 10 minuta pati disi frikë, por ishte Manaj ai që thelloi diferencën në 3-1 me një gol të shkëlqyer pak sekonda nga fundi i pjesës së parë. Në pjesën e dytë Shqipëria mban gjithçka nën kontroll deri në minutën e 80-të, por sërish pas një gabimi në mbrojtjen kuqezi, bjellorusët shënojnë dhe rikthehen në lojë. Shqipëria nis të vuajë më shumë se sa duhet.

Miqtë përpiqen të shfrytëzojnë aftësitë fizike të tyre dhe na vendosën në vështirësi serioze, por kuqezinjtë ia dolën të marrin tri pikët.


TË NGJASHME