HomeLajme

Fillimi i vitit të ri shkollor/ Mobilizohet Policia e Shtetit: Më shumë siguri në shkolla, monitorin zbatimit të masave anticovid

Masat e marra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020 – 2021

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që kanë shkollat buzë rrugëve apo që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Në këtë kuadër, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, strukturat vendore të Policisë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për Patrullat e Përgjithshme, Policinë kriminale, Policinë Rrugore dhe për ndihmësspecialistët e zonave, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e Policisë me shërbim pranë shkollave, por edhe duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Në të gjitha shkollat e vendit dhe përreth ambienteve të tyre do ketë prezencë të shtuar të Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo përreth tyre.

Patrullat e Përgjithshme, ndihmësspecialistët e policimit në komunitet, ndihmësspecialistët e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor.

Nga punonjësit e Policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj, duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave;

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve;

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë.

Specialistët për krimet dhe ndihmësspecialistët e policimit në komunitet (SPZ), sidomos funksioni që ka drejtimin e punës me të rinjtë, nxënësit dhe me shkollat, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si në bordin e prindërve, senatin e nxënësve, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione.

Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla dhe të monitorimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Ata do të gjejnë tek punonjësit e Policisë, partnerë bashkëpunues e seriozë, por njëherësh kërkojmë edhe bashkëpunimin e tyre, për të bërë prezent tek strukturat policore çdo shqetësim dhe problematikë që mund të kenë.

Policia e Shtetit uron nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor dhe fton cilindo që të denoncojë çdo shkelje apo paligjshmëri në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.


TË NGJASHME