HomeSport

Finalja e Europa League/ Chelsea poker golash ndaj Arsenal

Është zhvilluar dje finalja e Europa League, ku Chelsea ka shkatërruar Arsenal, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-1. Në këtë mënyrë, blutë e Londrës e mbyllin këtë sezon me një trofe dhe Maurizio Sarri fiton trofeun e parë të rëndësishëm në karrierën e tij.Të gjithë golat e sfidës, u realizuan në pjesën e dytë, ndërsa Chelsea, shfrytëzoi më së miri hutimin e lojtarëve të Arsenal, duke shënuar plot katër herë. Goli i Iwobi, shërben vetëm për statistika dhe në këtë mënyrë skuadra e Unai Emery, ka humbur shansin për ta mbyllur sezonin me një trofe të rëndësishëm.

Në Baku, finalja filloi me një pjesë të parë të kujdesshme, ku vlen të përmendet një goditje e Granit Xhakës nga 25 metra që tronditi traversën e portës së mbrojtur nga Kepa Arrizabalaga. Ndërkohë, Chelsea u përpoq të kundërpërgjigjej me Giroud dhe Emerson që jo pak herë e vunë në vështirësi Petr Cech.

Por, në fraksionin e dytë të ndeshjes, do të ndryshontë gjithçka, festivalin e golave, do ta hapte Giroud kur në minutën e 49, pas një zhytjeje në zonë do të shënonte me kokë golin për 1-0. Kaq mjaftoi që futbollistët e Arsenal të shpërfytyroheshin në lojë dhe të humbisnin gjithë përqëndrimin duke pësuar edhe dy gola të tjerë në harkun kohor të 5 minutave. Hazard në minutën e 60, do të dhuronte një asist për Pedro që nuk gabon dhe i çon shifrat në 2-0, ndërkohë pas vetëm 5 minutash anësori belg do të realizonte edhe golin e parë personal flaë një 11-metërshi.

Emery kreu disa zëvendësime dhe Iwobi, në minutën e 69 do të shënonte për Arsenal dhe u duk se ndoshta diçka do të ndryshonte, por do të ishte sërish Hazard që do të shuante shpresat e “Topçinjve”, kur në minutën e 72 do të shënonte golin e katërt dhe të dytin personal. Në këtë mënyrë mbyllet edhe Europa League për këtë sezon, me një Chelsea që në finale, e meritoi plotësisht fitoren.


TË NGJASHME