HomeSport

Firma dhe prezantimi, zbuloni prapaskenat si De Biazi bindi Rejan

Edi Reja ishte në “Loro Boriçi” së bashku me një trajner italian, Alesandro Kalori, për të ndjekur ndeshjen e parë kualifikuese të Shqipërisë dhe sot pritet që të prezantohet si pasues i Kristian Panuçit. Me gjithë dyshimet e deritanishme, pikëpyetjet që ka lënë ende FSHF, “Panorama Sport” mëson prapaskenën se si ish-trajneri, me të cilin kuqezinjtë arritën Europianin, ka lobuar për Kombëtaren tonë.

PRAPASKENA – Xhani De Biazi ka qenë para disa ditësh në vendin tonë, ku në një intervistë për “Panorama Sport” pranoi se ka takuar dhe drekuar për rreth 5 orë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Italiani me pasaportë shqiptare, i cili shënoi pjesëmarrjen në “Euro 2016” si rekordin historik me kuqezinjtë, mësohet që të ketë biseduar edhe me trajnerin e ri të Kombëtares. Gazeta mëson nga burime të besueshme dhe të sigurta se De Biazi e ka siguruar trajnerin Reja se ajo që ka parë në Shkodër nuk është Shqipëria më e mirë. Jo vetëm kaq, por ai e ka përdorur edhe kualifikimin në Europian për ta motivuar dhe bindur 73- vjeçarin se kuqezinjtë kanë nevojë për një trajner, i cili të mund t’u japë diçka atyre për të bërë një rrugëtim pozitiv. Nga takimi në Shkodër me presidentin Duka, trajneri Reja u largua nga vendi ynë me një opinion jo fort pozitiv për ekipin, por duket që De Biazi e ka bërë “ambasadorin” e sportit edhe një herë me kuqezinjtë, duke i shuar të gjitha pikëpyetjet ish-trajnerit të Lacios, Napolit, Atalantës etj.

EDI REJA – Trajneri i ri i përfaqësueses është ende me shumë të panjohura, teksa institucioni i futbollit ka vijuar të jetë shumë diskret rreth pasuesit të Kristian Panuçit, duke dashur që çdo pikëpyetje të zbardhet vetëm gjatë konferencës për shtyp në orën 15:00. Trajneri Reja ka qenë i pranishëm në ndeshjen mes Empolit dhe Atalantës në Itali, duke nisur “de facto” punën si trajner i kuqezinjve, por për fat të keq, në fushë ka qenë vetëm Veseli, me Gjimshtitin dhe Berishën në stol. Situata me ndihmësin e tij është gjithashtu e paqartë ende. Alesandro Kalori nuk ka zgjidhur ende kontratën e tij me një skuadër italiane, ndaj mbetet për t’u parë se cili do të prezantohet si numri dy në stafin e Rejas. Gjithashtu, gazeta mëson se krahas Kalorit, një ide për të plotësuar stafin është ajo e përgatitësit atletik Luixhi Febrati, por edhe ai momentalisht bën pjesë në stafin e skuadrës përfaqësuese të Hungarisë, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të jetë i gatshëm për t’iu bashkuar “armatës” kuqezi në vijim apo jo./panoramasport


TË NGJASHME