HomeSport

Flamurtari më ‘dorëlëshuari’, zbulohen pagat marramendëse të futbollistëve

Në dekadën e fundit, në Superligën Shqiptare, Flamurtari dhe Vlora, kanë qenë “toka e bekuar” për çdo futbollist, shqiptar apo të huaj edhe pse vonesat e pagave, kanë qenë një problem i vazhdueshëm. Megjithatë, nëpërmjet gjyqeve, ankesave në FIFA ose FSHF të gjithë kanë arritur atë çfarë kanë merituar nga kontratat e nënshkruar me klubin vlonjat.

Që prej periudhës kur klubi financohej nga bashkia, në kohën e ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, dallohej ndryshimi me rrogat e majme që klubi ofronte për të gjithë futbollistët.

Ka disa mënyra për të joshur futbollistët, por në Vlorë shkonin me “vrap”, pasi u premtohej një shumë e majme paradhënie përpara se të firmosej marrëveshja. Kështu u mendua të bëhej edhe në verën e vitit të kaluar, kur fillimisht administratori Idrizi siguroi marrëveshjen me trajnerin Ilir Daja e më pas afroi disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit.

Emra si: Tomislav Bushiç, Danilo Alvesh, Idriz Batha, Albi Alla, Goran Siljanovski, Muhamed Useini dhe Emiljano Musta mund të quhen ndoshta më fatlumët, pasi në krahasim me shokët e tyre, mësohet se kanë marrë “kesh” para fillimit të sezonit 30 % të kontratës.

Edhe për këtë pjesë ka pretendime nga lojtarët, pasi ata që kanë qenë pjesë e ekipit në sezonin 2017- 2018, mësohet se nuk kishin marrë muajin prill dhe maj. Megjithatë, askush nuk e mendonte se me muaj të tërë nuk do të shijonin qoftë edhe një rrogë, por vetëm një shpërblim modest në fund të dhjetorit për të kaluar të qetë festat.


TË NGJASHME