HomeSociale

Flasin punonjësit e medias për dhunën në protestë

Është një shprehje e lashtë sa vetë njerëzimi që lajmësi nuk preket. Por çdo herë e më shumë nëpër protesta, po vihet re një dhunë që sa vjen dhe shtohet ndaj reportereve dhe kameramanëve.

Protesta e fundit pati një numër të madh të lënduarish dhe të dhunuarish në radhët e njerëzve të medias.

Kameramani i Top Channel, Besfort Kryeziu u plagos kur një bombë gazi lotsjellës. Operatori i Fiks Fare, Eno Xhaja u sulmua, por edhe kolegët tanë nga ABC News apo Report TV.

“Mbaj mend që mes të maskuarve ishte dhe një zonjë me moshë sa të mamasë time që sulmonte. Njerëzit duhet të na shohin ne si persona që bëjmë një profesion dhe pasqyrojnë atë që ndodh në terren dhe jo si keqbërës, nuk jemi të tillë”, thotë Eno Xhaja.

Arsen Rusta punon prej 15 vjetësh në gazetari. Ai thotë se Italia është i vetmi vend në Europë që ka një Institut privat për pensionin e gazetarit.

“Po ndodhin ndryshime në Kodin Penal dhe askush nuk e kategorizon dhunën ndaj gazetarit si vepër më vete, ashtu si për mjeket dhe mësuesit. Ka ardhur koha që gazetari të ketë një status”, shprehet Arsen Rusta.

Esiona Konomi që prej 5 vjetësh ndjek aktivitetet opozitare dhe qeveritare thotë se në tubimin e fundit protestuesit rrethuan makinën me logo dhe nuk e lejonin të lëvizte, duke dhunuar fizikisht disa prej reportereve te Report tv.

“Zoti Basha dhe zoti Rama ndahen per 1000 arsye, por janë në unison në sulmin ndaj gazetareve dhe operatoreve që sa vjen dhe po shtohet”, thotë Esiona Konomi.

Klodiana Lala punon prej gati 15 vjetësh në terren si gazetarë kronikë.

“Ta marrin vesh njëherë e mirë, policia, qytetarët dhe politika që gazetari është i shenjtë. Ai është aty për të raportuar ngjarje me paanshmëri, detaje që publiku nga shtëpia nuk i sheh”, shprehet Klodiana Lala./tch


TË NGJASHME