HomeSport

Formacioni i mundshëm kundër Debrecenit, Gjoka i ka idetë e qarta

Më 11 korrik, Kukësi do të luajë ndeshjen e parë në kuadër të turit kualifikues të Europa League. Ndeshja e parë kundër Debrecen, kuksianët do ta zhvillojnë në transfertë, kurse akti i dytë do të luhet në “Elbasan Arena”, nga ku do të vendoset edhe skuadra që do të kalojë në turin tjetër.

Deri më tani, klubi verilindor ka zhvilluar dy miqësore kundër Laçit, ku të parën e humbi me rezultatin 2-0, kurse të dytën barazoi 1-1. Në rast se nuk do të ketë ndonjë surprizë nga merkato edhe formacioni i Kukësit për sfidat europiane pak ashumë është i vendosur. Ernest Gjoka tashmë ka ide të qarta përsa i përket kësaj pjese.

Është mësuar se Gjoka ka vendosur edhe lojtarët që do ta nisin sfidën si titullarë kundër Debrecenit dhe se me kalimin e ditëve, trajneri ka vendosur të ulë intensitetin e stërvitjes dhe të fokusohet më shumë në pjesën e përshtatjes me lojën e kundërshtarit. Skema që pritet të përdorë tekniku Gjoka është 4-4-1-1, ku në portë do të jetë Stivi Frashëri. Në të djathtë të mbrojtjes do të luajë maqedonasi Tome Kitanovski, kurse në të majtë do të jetë Rrumbullaku. Qendra e mbrojtjes do të formohet nga kapiteni Shameti dhe Ardian Cuculi, me gjirokastritin që nuk është rekuperuar 100% nga dëmtimi që pësoi në muajin maj.

Megjithatë, Gjoka e ka gati zgjidhjen dhe ai është Olsi Teqja, i cili është provuar nga fillimi në ndeshjet miqësore në krahë të Cuculit. Ndërkohë, në mesfushë do të rreshtohen nga krahët Ethemi në të djathtë dhe Rama në të majtë. Dyshja “shkatërruese” para mbrojtjes i është besuar Musollit dhe Limajt. Ndërsa në rolin e një fantazisti ose, e thënë ndryshe, sulmues i dytë, do të jetë Rroca. Ky i fundit do të mbështesë Shkurtajn, i cili do të pozicionohet në majën e sulmit. Ndërkohë, kandidatë potencialë për formacion janë edhe lojtarë si Çyrbja, Musta dhe Maliqi.

Me këtë formacion, trajneri Gjoka synon të thyejë Debrecenin dhe të sigurojë një biletë për kalimin në turin tjetër.


TË NGJASHME