HomeShëndeti

Foshnja shqiptare e infektuar me koronavirus: Flet babai për situatën

Në një intervistë për Shekulli.com.al, Luan Sulejmani, një emigrant shqiptar që jeton në Codogno, Lombardi, epiqendra e virusit në Itali, rrëfen për të birin 4-muajsh, i cili është i infektuar me koronavirus.

“Djali kishte temperaturë gjatë natës. I dhamë tre herë paracetamol. Temperatura i ngrihej dhe i ulej. Nga dreka e dërgova në urgjencë. Infermierët që erdhën për ta marrë, nuk dyshonin se mund të ishte i infektuar nga koronaviursi. Më pas më thanë që nuk mund të jetë kjo, pasi nuk i kishte shenjat e virusit.”

Sulejmani ka dy fëmijë binjakë, por ndryshe nga djali, vajza nuk u infektua. Fillimisht ata dyshonin për një infeksion urine.

“Më thanë që nuk mund të ketë virus, pasi nuk ka shenja të tij. Dyshonin për infeksion në urine. Nuk më besohej atë ditë, kishte vetëm temperaturë. I bënë tamponin dhe doli pozitiv. Ne kishim lexuar dhe dëgjuar që fëmijët nuk i prek, por ja që e kishim ditur gabim deri në atë moment.”

Përsa i përket gjendjes shëndetësore, Luani u shpreh se për momentin është përmirësuar.

“5 ditë e mbajtëm në spital të izoluar me antibiotikë. Tani e kam në shtëpi. Falë Zotit ai është mirë me pak simptoma që kanë kaluar. Ne të gjithë këtej mund të jemi të infektuar sepse jetojmë në zonën më të infektuar të Italisë.”

Në fund të intervistës, Luani bëri edhe një apel për shqiptarët.

“Bëni kujdes, mos e nënvlerësoni aspak situatën sepse prindërit, gjyshërit tanë janë në rrezik total. Është një sprovë e madhe që unë uroj ta kalojmë, por nëse nuk tregohet kujdesi i duhur, ju garantoj që nuk do jetë e lehtë. Po e provoj në familjen time këtë situatë stresuese, ndaj dhe ju bëj thirrje të ndërgjegjësoheni.”


TË NGJASHME