HomeSociale

Frontex, sot stacionimi në Kapshticë dhe Kakavijë. Ja çfarë do ndodhë

Oficerët e Frontex-it do të jenë të vendosur në kufirin jugor të Shqipërisë. Kryesisht në kufirin e gjelbër që ndan Shqipërinë me Greqinë, në dy pikat më të mëdha të kufirit jugor, Kapshticë dhe Kakavijë.

Do të jenë më shumë të përqendruar në Pikën Kufitare të Kakavijës dhe në numër më të reduktuar në Pikën Kufitare të Kapshticës. Operacioni do të kryhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe do të drejtohet nga oficerët e Policisë shqiptare. Dje u zhvillua ceremonia zyrtare e nisjes së bashkëpunimit, ndërsa sot fillon operacioni.

Çdo punonjës Policie i Frontex-it, që janë nga 11 shtete anëtare të Bashkimit Europian, do të kryejë të njëjtin funksion si çdo punonjës i Policisë shqiptare. Periudha e parë e këtij operacioni të përbashkët është 22 maj-19 qershor, që është përcaktuar nga vetë Frontex-i, por pa ndonjë afat të caktuar.

Dje kanë mbërritur në Tiranë 50 punonjës Policie të Frontex-it, që do të operojnë gjatë periudhës së parë të këtij operacioni. Këta punonjës kanë marrë me vete për përdorim gjatë këtij operacioni edhe automjete e armatim.

PATRULLIMI NE KUFI

Patrullimi në pikat e kalimit kufitar do të jetë i njëjtë me procedurat standarde të Policisë Kufitare shqiptare. Do të realizohet nga një patrullë treshe, në përbërje të së cilës do jenë dy punonjës të Frontex-it dhe një punonjës i Policisë shqiptare. Shefi i patrullës treshe që do funksionojë në këtë operacion, është punonjës i Policisë shqiptare. Patrullimi do të kryhet në kufirin e gjelbër, por edhe në pikën e kalimit kufitar ku do jenë të stacionuar. Këto patrulla kanë si detyrë parësore forcimin e kufirit, në mënyrë që të mos ketë hyrje të paligjshme të emigrantëve të huaj.

Marrëveshja që është firmosur nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian daton në fund të vitit 2018 dhe është ratifikuar në shkurt të këtij viti, duke hyrë në fuqi më datë 1 maj. Asistencën e Frontex-it e kanë aktualisht edhe disa vende fqinje të Shqipërisë, duke filluar me Maqedoninë, për shkak të fluksit të madh të emigrantëve të paligjshëm që ishte në vitin 2015.

Por me Shqipërinë, asistenca e kësaj strukture është me një plan masash të detajuar. Me këtë plan masash janë vënë në dijeni të gjitha shtetet që kanë sjellë në vendin tonë oficerët e Frontex-i, janë njohur me legjislacionin shqiptar, me mënyrën se si do funksionojë, me veprat penale që ndjek Departamenti i Policisë Kufitare, mënyrën e përdorimit të armëve dhe të ndalimit të shtetasve të ndryshëm.

TRANZITI I EMIGRANTEVE

Është bërë një analizë risku nga Departamenti i Policisë Kufitare dhe tashmë është e qartë se Shqipëria është një vend tranzit për emigrantët e paligjshëm, që kalojnë përmes vendit tonë për të shkuar në destinacionin final, që janë vendet e BE-së. Fluksi ka nisur në vitin 2015, që u pasua me një rënie të emigrantëve që kalonin tranzit në vitin 2016 dhe më pas me një tjetër rritje në 2017-n e më shumë në 2018-n.

Kjo ishte arsyeja e marrëveshjes për stacionimin dhe patrullimin me oficerët e Frontex-it. Mjetet që këta punonjës Policie kanë sjellë në Shqipëri për t’i pasur pjesë të operacionit që nis sot, janë pajisje të veçanta për patrullimet në kufi. Janë tri automjete të llojit furgon, që kanë të instaluar në brendësinë e tyre sensorë dhe sistem radar, që e lehtësojnë edhe më shumë patrullimin.

Këta furgonë vendosen në një pikë të caktuar dhe nga ajo pikë bëjnë kontrollin e zonës në një hapësirë të gjerë, duke qenë se kufiri me Greqinë është një terren i vështirë dhe i thyer./panorama


TË NGJASHME