HomeSociale

Gara për Kryeprokuror, KLP letër KPK: T’i bëhet vettingu Olsian Çelës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka nisur një shkresë KPK që të kryejë sa më parë procesin e vlerësimit kalimtar për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çelës.

Ndonëse ishte përcaktuar muaji qershor si afat i përzgjedhjes së tre kandidatëve për Kryeprokuror, duket se ky proces do të zgjatet pa ndonjë afat, pasi Çela nuk është përballur ende me procesin e vetingut, i vetmi nga tre kandidatët. Njoftimi i nisur nga KLP është i dyti pas 45 ditësh nga letra e parë, për shkak të një reagimi nga KPK.

Lulzim Alushaj pritet që të përballet me KPK, ndërsa në garë janë edhe Arta Marku e Fatjona Memçaj, që janë konfirmuar në detyrë. Në mbledhjen që u zhvillua dje, KLP shpalli vakancat për 9 prokurorë në rrethe, një në Berat, një në Dibër, dy në Korçë, një në Krujë, një në Lezhë, një në Pukë, një në Vlorë dhe një në Kavajë.

Pritej komandimi i një prokurori në Pukë, duke qenë se aktualisht aty ndodhet vetëm drejtuesja Elidiana Kasaj, por KLP nuk gjeti dakordësi duke shtyrë vendimin për të shtunën.

U vendos zgjatja e qëndrimit të Violeta Shkurtës në krye të Prokurorisë së Fierit edhe me 3 muaj e po me kaq kohë edhe Arben Dylës, i cili është emëruar përkohësisht në krye të Prokurorisë së Lushnjës. Pas shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë Kukës, Alketa Nushi, KLP vendosi emërimin e përkohshëm në atë detyrë të Edmond Kariqit.


TË NGJASHME