HomeSociale

Gazetari tregon se çfarë ndodhi te Unaza e Re/ Balliu: Banorit i janë thyer kockat

banoret e astirit

Përplasje të forta u zhvilluan në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, (IKMT) kishte planifikuar nisjen e prishjes së disa godinave, që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së re.

Forcat e shumta të policisë të cilat u shfaqën në mbështetje të ndërhyrjes së Inspektoratit, hasën në një kundërshtim të fortë të disa prej banorëve.
Ish deputeti i PD-së, Klevis Balliu në emisionin Opinion tha se policia përdori dhunë barbare ndaj banorëve.

“Dhuna nuk është iniciuar nga banorët. Banorët kanë qenë brenda dhe gazi është hedhur nga furgonët e policisë. Policia i ka goditur me gurë, i ka hedhur nga tarraca, sot kemi një person që rrezikon të mbetet… Është Artur Muja i kanë thyer kockat e këmbës. Rrezikon të ketë probleme gjithë jetën Ky zotëria këtu është invalid, Gent Alla dhe ja çfarë i kane bërë”, tha ish deputeti

Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte deri në orën 18:00, IKMT ka shembur 33 objekte në Lotin e Parë të segmentit rrugor nga rreth rrotullimi i Shqiponjës deri tek Pallati me Shigjeta.

Me shembjen e objekteve i hapet rrugë edhe ndërtimit të nënkalimit tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, një nyje e cila do të çlirojë trafikun në kryeqytet. Por aksioni i IKMT u shoqërua me tensione në orët e para të mëngjesit.

Gazetari Andi Qosja, i cili ka qenë prezent në zonë që prej orës 5:30 të mëngjesit ka treguar detaje për atë që ndodhi.

“Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishte bllokuar dy pikat e hyrjes. Forca të tjera policore nga ana tjetër ishin në të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së rrugëve. Rreth orës 5:30 ka nisur aksioni. Sot janë shembur 33 banesa. Një pjesë e mirë e këtyre banorëve ishin njoftuar vetëm në minutat e fundit. Shumë sende dhe orendi të tyre kanë mbetur brenda, nuk kanë patur kohë për tu zhvendosur. Nga ora 5:30 minuta deri në orën 18:30 është zhvilluar aksioni. Tek rrethrrotullimi i Shqiponjës ka qenë dhe intensiteti më i lartë i përplasjes. U hodhën shumë bomba me gaz lotsjellës”, tregoi gazetari.

Ndërkohë zëvendësministri Artan Shkreli tha: Kjo ishte një pjesë, nga të cilat pjesa më e madhe ishte dakordësuar për prishjen. 21 prej tyre ishin të shpronësuara, 8 i kanë marrë të tjerat. Pjesa tjetër janë në proces. 12 të tjera janë skualifikuar nga ALUZINI, nuk përfitojnë legalizimi. Fillimisht është Loti nr 1, që fillon nga rrethrrotullimi i Shqiponjës. Janë rreth 250 shtëpi që do prishen gjithësej, 140 janë që do shpronësohen. Qeveria është në plotësim të detyrave të veta kushtetuese dhe ligjore. Kjo do bëhet edhe më ndihmën e policisë.

Nga përleshja 12 persona mbetën të plagosur, mes tyre 5 punonjës të policisë dhe 7 banorë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, që të gjithë lanë ambientet e Spitalit të Traumës në orët e pasdites.

Opinion.al


TË NGJASHME