HomePolitikë

Gjermania vendos/ Nga 1 tetori një orë pune do të paguhet minimalisht 12 euro

Ndërkohë që në Shqipëri pagat kanë mbetur një premtim elektoral, mimimuni jetik nuk ka një kuotë të deklaruar dhe paga minimale është 3000 lekë të reja, shtetet europiane nuk ndalin politikat sociale. Kështu, ligjvënënsit në Gjermani kanë vendosur që prej 1 tetorit 2022 paga minimale të jetë 12 euro në orë dhe gjithashtu do të ketë një kufi më të lartë në bazë mujore.

Vendimi është miratuar që në shkurt të këtij viti dhe ishte një gur themeli në fushatën e kancelarit Olaf Scholz në prag të zgjedhjeve federale shtatorin e kaluar.

Po ashtu nga 1 tetori, pagat mujore deri në 520 euro që vijnë nga punët e vogla part-time do të mbeten të përjashtuara nga taksat dhe kontributet për sigurimet shoqërore.

Aktualisht në Gjermani një orë pune paguhet 10,45 euro.

Interesante është që ky lajm përkon me ditën kur INSTAT sapo ka publikuar të dhënat për muajin korrik në Shqipëri dhe thekson që inflacioni ka arritur në 7.5% duke thyer rekordin e 20 viteve të fundit.

Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022 është 7,5%, nga 7.4% që ishte muajin e mëparshëm. Edhe në korrik rritja e çmimeve u ndikua më së shumti nga ushqimet dhe pijet alkoolike si dhe nga karburantet.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022, krahasuar me Qershor 2022 është 0,2%.

Në korrik, inflacioni ishte në nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2002, kur treguesi ishte 7.6%.

Inflacioni është më shumë se dy herë më i lartë se objektivi i shënjestruar i bankës së Shqipërisë prej 3%.

/GOTA NEWS ALBANIA


TË NGJASHME