HomePolitikë

Gjesti i ambasadorit të OSBE, i papranueshëm edhe nga …

Gjesti i ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borcardt, kundër banorëve të Astirit, është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani dënon veprimin e ambasadorit  të OSBE duke ngritur gishtin e mesit ndaj banorëve të Astirit, duke e konsideruar një akt jo civil dhe i dënueshëm.

“Gjuha nga kronika ishte se protestuesit kanë thirrur ”Rama ik”. Ambasadori Borchard, nuk është hera e parë që tregohet i njëanshëm. Ai bën veprime të tilla se i shkon veprimeve që bën edhe kryeministri. Kështu Shqipëria  është kthyer në një vend gallatë që nuk ka respekt ndaj ligjit e qytetarëve. Le t’ua bënte jelek-verdhëve në Francë këtë dhe ta shihte reagimin. Reagim jo qytetar, aspak civil dhe i dënueshëm.

Ambasadori ka pas dhe probleme të tjera të përkrahjes së padrejtësisë, siç ishin deklarimet e bëra për drogën dhe paratë e mbledhura nga droga në Shqipëri. Kjo tregon për një njeri të pabesueshëm në raportet e tij me qeverinë shqiptare dhe opozitën. Besueshmëria që ai ka, pas veprimit të djeshëm, mund ta cënojë veprimtarinë e tij në një tryezë, ku ai duhet të jetë i paanshëm ”-tha ai.


Të ftuarit e kanë dënuar këtë gjest të ambasadorit, duke u shprehur se i vë një minus figurës së tij.


Roland Lami: Vendim aspak etik. Një ambasadori nuk i lejohet të barazohet me nivelin e njerëzve, s’po them turmës.

Ilirjan Celibashi: Edhe nëse do të ishte në një sulm personal, nuk duhet ta bënte këtë gjest. I vë një minus figurës së tij.

Kristaq Kume: Gishtin na e kanë ngritur edhe të tjerë. Unë e shoh këtë si rezultat i bashkëveprimit me një silergji negative mes atyre dhe neve të gjithë bashkë. Duhet të jetë një moment reflektimi i të gjithëve. Politika duhet ta lexojë raportin e OSBE për 30 qershorin dhe të nxjerrë mësime.

Lami: Ajo që po bëhet sot me ambasadorin e OSBE, është bërë edhe më parë ndaj ambasadorëve të tjerë, siç ishte ambasada amerikane


TË NGJASHME