Lajme Lajmi i Fundit

Gjobiten 5 subjekte nga AKU

AKU ka ndëshkuar me 1.7 milionë lekë gjobë 5 subjekte të cilat kishin produkte të pasigurta dhe të skaduara dhe pa kushte higjiene.

Analizat e mostrave të produkteve të mishit dhe djathit sidomos konfirmuan se produktet kishin salmonelë.

Njoftimi

“AKU NDËSHKON ME 1.7 MILION LEKË KUNDRAVAJTJET NË 5 SUBJEKTE (SUPERMARKET, PASTIÇERI, NJËSI TREGTIMI, RESTORANT DHE MAGAZINË USHQIMORE) QË OPERONIN NË MUNGESË TË HIGJENËS DHE BLLOKON 65.5 KG PRODUKTE TË PASIGURTA (PRODUKTE SHTAZORE ME NGARKESË MIKROBIOLOGJIKE, PRODUKTE TË SKADUARA DHE MISH PA VULË DHE CERTIFIKATË VETERINARE)”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet për zbatimin e kërkesave ligjore nga Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU), në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, përfshirë grupet e veçanta të popullsisë (kopshte, çerdhe, shkolla etj). Nga kontrollet e kryera ka rezultuar se disa subjekte i ushtronin aktivitetet në kundërshtim me kërkesat ligjore, më konkretisht:

Subjekti “Maliq Begteshi” me aktivitet “Supermarket ushqimor”, Tiranë, tregtonte produkte ushqimore (djath, mish dhe kofsha pule) në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe tregtimi (produktet e mishit mbaheshin në të njëjtin ambjent frigoriferik me pije freskuese dhe jo në frigorifer ngrirës). Analizat e mostrave të produkteve të mishit dhe djathit konfirmuan se produktet kishin ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella spp dhe nivel mbi normën e lejuar të Enterobaktereve). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit), si dhe
“Asgjësim i produktit” për sasinë prej 17.8 kg produkte të pasigurta për konsum human.

Subjekti “Zeliha Demiri” me aktivitet “Pastiçeri”, Tiranë, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (prani myku në tavolinën e punës, mungonte analiza e ujit, nuk ishte kryer shërbimi DDD, punonjësit nuk kishin libreza shëndetësore të vlefshme dhe prani e sendeve të tepërta në ambientin e punës). Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara.

Subjekti “Ëngjëllushe Koçi” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Bulqizë, tregtonte produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi (miell, komposto, amita, llokume, reçel, fruta të thata etj). Për shkeljen e konstatuar trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 28.7 kg produkte ushqimore të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre.

Subjekti “Idajet Shkulaku” me aktivitet “Restorant”, Dardhas, Pogradec, tregtonte produktin “mish viçi” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masën administrative “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 19 kg mish të pasigurt për konsum human, me qëllim asgjësimin e tij.

Subjekti “Ent publik – Magazinë ushqimore për grupe të veçanta popullsie (çerdhe, kopshte)”, Shkodër, ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Gjatë kontrollit u konstatua se: subjekti (ent publik) nuk dispononte frigoriferë për ruajtjen e produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, mungonte tualeti, pajisjet brenda magazinës kishin prani ndryshku, nuk dispononte leje/certifikatat përkatëse higjeno-sanitare për automjetin e transportit të ushqimeve, si dhe agjentët e pastrimit dhe dezinfektantët ruheshin në të njëjtat ambiente me ushqimet. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë.

Related posts

Një tjetër zbulim i rëndësishëm nafte në vendin tonë

Mila

Ngjarja në Rinas, Basha rendit arsyet se përgjegjësinë e ka shteti

Xhensila Gotanews

Doni të keni sukses? Provoni këto gjëra, funksionojnë çdoherë

Mila
Na Kontaktoni!