HomePolitikë

Gjonaj: Reforma në Drejtësi e rrezikuar nëse …

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se edhe pse reforma në drejtësi po vazhdon ajo po rrezikohet nga ata që tentojnë vazhdimisht ta minojnë.

Sipas saj fakti që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese mbeti pothuajse bosh, nuk duhet parë si problem i vettingut, por si problem me atë sistem të trashëguar dhe mungesën e integritetit të këtyre gjyqtarëve të shkarkuar.

“Zbatimi i reformës në drejtësi ka arritur në një pikë sa kyçe po aq delikat ku renditen një sërë rezultatesh pozitive, ku janë ngritur dhe ushtrojnë funksionin të gjitha Institucionet e reja të drejtësisë, por duke qenë ende në fazën fillestare të saj, gjendet gjithmonë e rrezikuar nga ata që tentojnë në mënyrë të vazhdueshme ta minojnë. Që të konsiderohet një drejtësi tërësisht funksionale dhe të realizohen pritshmëritë e qytetarëve kërkon ende kohën e nevojshme të saj.

Në një reformë kaq radikale dhe komplekse pa dyshim ka aspekte që nuk kanë shkuar mirë dhe nuk janë ndjekur të gjitha proceset në kohë siç është plotësimi me anëtarë të GJL dhe Gjykatës Kushtetuese por kjo nuk do të thotë në asnjë moment se është dështim i reformës.”-tha Gjonaj.

Gjonaj tha se reforma në drejtësi dhe njerëzit që iu përkushtuan asaj vazhdojnë të marrin sulme të përditshme, dhe qëllimi i vetëm është ngadalësimi i punës së institucioneve të reja dhe mos vijimi i zbatimit të saj.

“Ky është një moment i rëndësishëm ku përpos sulmeve nuk është koha për të ngadalësuar proceset e zbatimit të reformës në drejtësi, përkundrazi duhet të gjitha institucionet e drejtësisë të jenë të bashkërenduara për të vijuar misionin e tyre. Opinioni i Komisionit të Venecias në asnjë rresht të saj nuk preku parimet e vendosura nga Reforma në Drejtësi. Komisioni i Venecias i dha të drejtë Kuvendit me mënyrën e kuptueshmërisë dhe zbatimit së nenit 179/2 të Kushtetutës për sekuencën e emërimeve në GJK.”-tha Gjonaj.

Ndër të tjera ajo shtoi se viti 2020 duhet të jetë viti i rezultateve të drejtësisë, dhe është momenti që Këshillat të jenë proaktive për ta kthyer në tërësisht funksionale sistemin e drejtësisë, për të plotësuar të gjitha vendet vakantenë GJL dhe për rrjedhojë edhe plotësimin e vendeve vakante në GJK.

“Kuvendi, Qeveria, Ministria e Drejtësisë i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare, të bindur si një nga investimet më të mëdha në këto 30 vitet e fundit.  Mbështetja, asistenca dhe kontributi i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së si dhe misioneve të tyre, kanë qenë faktor kyç që në nisje të reformës që në nisje por edhe në këtë fazë tepër të rëndësishme që ka të bëjë me zbatimin e saj dhe arritjen e rezultateve të shumëpritura, sidomos për funksionimit me efikasitet të GJL dhe GJK.

Viti 2020 duhet të jetë viti i rezultateve të drejtësisë, dhe është momenti që Këshillat të jenë proaktive për ta kthyer në tërësisht funksionale sistemin e drejtësisë, për të plotësuar të gjitha vendet vakantenë GJL dhe për rrjedhojë edhe plotësimin e vendeve vakante në GJK. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë të bashkërenduar dhe të koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë me të gjitha institucionet e drejtësisë, për ndjekjen e prioriteteve për të garantuar rezultatet kyçe dhe në kohë sa më të shpejtë.

Të gjithë presim që institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, rol proaktiv dhe transparencë shumë më të mirë në vendimmarrjen e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.”-shton Gjonaj.


TË NGJASHME