HomePolitikë

Gjykata e Durrësit rrëzon veten, njeh Sakon si kryebashkiake

Në letrën drejtuar Gjykatës së Durrësit, e cila mbante firmën e Edi Ramës, kërkohej shpallja fituese e Valbona Sakos për zgjedhjet e 30 qershorit, e njëjta kërkesë që ishte rrëzuar më parë nga kjo gjykatë.

VENDIMET

Vendimi i parë për të shpallur fituese kandidaten e PS-së u paraqit pranë Gjykatës së Durrësit nga vetë Valbona Sako. Në këtë proces gjyqësor, kandidatja Sako nuk u shpall fituese nga ana e gjyqtares Mimoza Margjeka, e cila theksoi se si gjithë procesi zgjedhor i 30 qershorit ishte i parregullt, pasi nuk ishin respektuar afatet ligjore në regjistrimin e kandidates së Bindjes Demokratike po për këtë bashki.

Kërkesa e dytë për certifikimin e zgjedhjeve të 30 qershorit për Bashkinë e Durrësit u bë nga Partia Socialiste duke ndryshuar kërkuesit, por jo objektin e kërkesës pasi këtë herë letra ishte firmosur nga kreu i PS-së, Edi Rama.

Këtë proces gjyqësor e drejtoi gjyqtari Shpëtim Reka, i cili certifikoi zgjedhjet e 30 qershorit, duke dhënë një vendim që bie në kundërshtim me një tjetër vendim të dhënë nga kjo Gjykatë dy ditë më parë.

Nga shqyrtimi i bërë nga ana e Shpëtim Rekës, Gjykata e Durrësit njeh Valbona Sakon si kryebashkiaken e re të qytetit bregdetar, pas kërkesës së dorëzuar nga Partia Socialiste si palë më vetë në proces. Sipas vendimit të dhënë, theksohet se: “Do të ishte nonsens që partia politike apo koalicioni përkatës të konsiderohej se nuk ka interes të ligjshëm në kërkimin për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë.

Në përfundim të kësaj analize, Gjykata arrin në konkluzionin se nuk ekzistojnë pengesa procedurale që do të pengonin shqyrtimin nga ana e saj të kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për vërtetimin e mandatit si Kryetare e Bashkisë, Durrës, të Znj. Valbona Sako”, thuhet në vendimin e dhënë nga gjyqtari Shpëtim Reka.

BASHKIA VORË

Të njëjtën strategji, Partia Socialiste po ndjek edhe për Bashkinë e Vorës. Dje, Partia Socialiste dorëzoi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për njohjen e Agim Kajmakut, me firmë të Kryeministrit Rama, si kryetar i Partisë Socialiste, ndërsa shorti pritet të hidhet të hënën për të caktuar gjykatësin e çështjes.

Më herët, Gjykata e Tiranës, me gjyqtare Arjana Gunbardhi, ndryshe nga ajo e Durrësit, për vërtetimin e mandatit të kryebashkiakut Agim Kajmaku, shpalli moskompetencë, duke ia deleguar çështjen Gjykatës Administrative.

Dy vendimet e para të dhëna nga Gjykata e Durrësit dhe ajo e Tiranës ishin të vetmet që dolën kundër procesit zgjedhor të 30 qershorit ku kërkues ishin vetë kandidatët e PS-së, pasi gjykatat e tjera në vend kanë certifikuar procesin në bashki të ndryshme si Elbasan, Krujë etj.


TË NGJASHME