HomePolitikë

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesë-padinë e Mziut, reagon ky i fundit

Ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka qenë i vetmi deri tani që ka provuar rrugën ligjore për t’i pamundësuar socialistëve marrjen e drejtimit të bashkisë.

Por Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën e tij për tu bërë pjesë e procesit të iniciuar nga socialisti Rakip Suli për njohje të mandatit.

Ivi Kaso: “E vetmja mundësi që gjykata kishte që të mos përballej me shkeljet kushtetuese dhe ligjore ishte te mos na pranonte fare në proces, të mos na bënte palë dhe u kap tek një artefic ligjor sipas të cilit ky lloj gjykim iniciohet në Gjykatë me kërkesë dhe jo me kërkesë padi.”

I pyetur nga mediat nëse Mziu do të lirojë zyrën për kryebashkiakun e dalë nga 30 qershorit, Kaso tha se ky vendim I përket qytetarëve.

Ivi Kaso: “Tashmë i takon popullit të Kamzës që të marrë vendimin nëse do të pranojë të qeveriset nga një person i cili përfaqëson më pak se 9% të tij ose jo.”

Gjykata e Tiranës i konfirmoi mandatin e kryebashkiakut për bashkinë e Kamzës, Rakip Sulit çka i hap rrugë dhe konstituimit të këshilltarëve në këtë bashki dhe betimit të kryetarit të ri.

Ndërkaq Gjykata e Lezhës i ka konfirmuar mandatin si kryebashkiak edhe socialistit Pjerin Ndreu.

Xhelal Mziu ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës i rrëzoi kërkesë-padinë për mosaprovimin e mandatit të socialistët Rakip Suli si kryebashkiak i ri i Tiranës.

Ndërsa theksoi se drejtësia është vënë në tutelën e Rilindjes.

Xhelal Mziu: “Drejtësia është vënë në tutelën e Rilindjes, është bërë palë me krimin që e mban në këmbë këtë pushtet dhe ka legjitimuar të paligjshme në procesin farsë të votimeve të 30 qershorit, duke na kthyer pas në diktaturë.

Mziu tha se vendimi i Gjykatës së Tiranës është noterizim i paligjshmërisë nga një gjyqtare e paracaktuar.

Xhelal Mziu: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës duke mos pranuar padinë e një kryebashkiaku në detyrë, të vetmit të ligjshëm deri sa të ketë zgjedhje, ishte noterizim i skandalit të deritanishëm të maskaradës zgjedhore nga KZAZ, KQZ deri në Kolegjin Zgjedhor, në votimet moniste të 30 qershorit, në të cilat u shkel çdo lloj standardi.

Gjyqtarja sot mbylli sytë qëllimshëm, ose zbatoi urdhrat nga lart, para një maskarade ku dhe juristi më i thjeshtë do të reflektonte dhe nuk do mund të certifikonte dhe hapte rrugë një procesi antikushtetues, aq më tepër për të mos pranuar një padi. Ky ndodh vetëm me një drejtësi të kapur dhe në shërbim, pasi pranimi i padisë duhet të ndodh edhe për çdo qytetar që shkon në dyert e drejtësisë.

Gjyqtarja kamikazë, e paracaktuar, sepse ajo u zgjodh manualisht dhe jo nga shorti elektronik, rrëzoi padinë e kryebashkikut të Kamzës për zgjedhjet e 30 qershorit, pa asnjë argument bindës. Ajo nuk zbatoi ligjin, por urdhrat që i kanë dhënë.”

Ish-kryebashkiaku i Kamzës shtoi se qytetarët nuk do pranojnë të drejtohen nga një i zgjedhur me 9 %.

Xhelal Mziu:“Qytetarët e Kamzës nuk do të pranojnë që të drejtohen nga një i zgjedhur me 9 %. Bashkia dhe kryebashkiaku do të vazhdojë punën deri kur në këtë vend të ketë zgjedhje legjitime, të dekretuara nga Presidenti i Republikës, të ketë garë, të jenë të lira dhe të ndershme si dhe të pranohen nga faktori ndërkombëtar si arbitri i vetëm për standardet e plotësuara.”


TË NGJASHME