HomeLajmi i Fundit

Gjykata i “mbyll gojën” Marsidës

Gjykata e Kavajës ka caktuar dje masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, në banesën e së cilës u vra 41-vjeçari Dritan Haxholli dhe u plagos oficeri i Burgjeve, Bledar Toçi.

E njëjta masë ishte kërkuar edhe nga Prokuroria, e cila kishte regjistruar procedim penal ndaj saj menjëherë pas ngjarjes, për përshtatje ose lejim të banesës me qëllim konsumimin e substancave narkotike, në zbatim të nenit 285/ a të Kodit Penal.

marsida-me-djalin

Sipas këtij neni, përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, për grumbullimin e personave, me qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike, përbën vepër penale dhe parashikohet dënimi deri në 5 vjet heqje lirie. “Nga materialet e para referuese, rezulton se shtetasja Marsida Qatja jeton në një apartament në lagjen nr.2, Kavajë. Më datë 9 tetor 2019, ajo ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli.

Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë Marsidës se do të vinte ai te shtëpia e saj. Ndërkohë, në orët e pasdites, te shtëpia e Marsidës kanë shkuar shtetasit Ermir Çela, Xhulio Biturku, Bledar Toçi, të cilët janë lidhje shoqërore e Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20:30, shtetasi Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë dhe kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike”, theksohej në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Bledar Toçit dhe vëllait të tij, Bernardit.

MASA E SIGURISE

Gjykata e Kavajës pranoi dje kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, pas vrasjes së Dritan Haxhollit në banesën e saj, ku nga hetimet rezultoi se ishte konsumuar edhe kokainë. Për përshtatje të ambienteve për përdorim droge, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet ndaj Qatjas, duke kërkuar për të “Detyrim paraqitje”. Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe pasaportën e Qatjas, pasi ka pasur informacion se do të dilte jashtë vendit, si dhe i ka kërkuar të mos flasë më në media për ngjarjen, pasi është person që ka dijeni dhe mund të dëmtojë hetimet. Nga ana tjetër, Gjykata ka urdhëruar shërbimet sociale në Bashkinë e Kavajës që të monitorojnë fëmijët e Marsida Qatjas. Për fëmijën 2- vjeçar, që ajo ka nga martesa e dytë, është vendosur që të ketë kujdestari të përbashkët me prindërit e saj, duke qenë se bashkëshorti ndodhet në burg në Gjermani dhe e ka të pamundur të ushtrojë kujdesin prindëror. Ndërsa për dy fëmijët që ajo ka nga martesa e parë, ndonëse Gjykata në vendimin e divorcit ia kishte lënë asaj në kujdestari, tashmë do të kujdeset edhe ish-bashkëshorti i Marsidës. Megjithëse vetë ky person, nuk ka pasur asnjë kundërshtim për sjelljen e saj karshi djalit 14 vjeç e vajzës 9 vjeçe.