HomeSport

Gjysmëfinalja e “Roland Garros”/ Roger Federer përballë Rafael Nadal

Përsëritet sërish “klasikja” e tenisit në gjysmëfinalet e turneut “Roland Garros“. Pas plot 14 vitesh Roger Federer dhe Rafael Nadal do të vendosen përballë njëri-tjetrit.

Federer u kualifikua pasi fitoi 3-1 derbin zviceran me ëaërinkën në çerekfinale. Pasi fitoi setin e parë 7-6, Federer pa të humbasë të dytin 6-4. Por, ai mori veten dhe fitoi dy setet e tjera 7-6 dhe 6-4, duke i dhënë fund një ndeshjeje që pati një ndërprerje për shkak të motit, duke siguruar gjysmëfinalen e tij të 8 në “Roland Garros” dhe të 44-tën në total.

Nadal nga ana e tij vazhdoi të tregojë formën e tij shumë të mirë në këtë turne, të cilin kërkon ta fitojë për herë të 12. Spanjolli nuk pati mëshirë për Kei Nishikorin në çerekfinale dhe e mundi 3-0. Për 33-vjeçarin, kjo është gjysmëfinalja e tij e 12 në “Roland Garros” dhe e 31-ta në të gjithë turnetë “Grand Slam”.

Nadal i mbylli dy setet e para 6-1 dhe 6-1, ndërsa në të tretin ndeshja u ndërpre kur ai kryesonte 4-2. Me rikthimin në fushën e lojës, spanjolli e mbylli brenda 10 minutash këtë set me rezultatin 6-3.

Edhe në kampin e femrave janë përcaktuar tenistet gjysmëfinaliste. Befasia e ka emrin Johana Konta që eliminoi amerikanen Sloan Stephens me rezultatin 2-0, me sete 6-1 dhe 6-4. Konta do ketë si kundërshtare të radhës Marketa Vondrousovan. Kjo e fundit mundi në dy sete kroaten Petra Martiç. Çekja 20-vjeçare fitoi setin e parë me “tiebreak” 7-6, ndërsa të dytin e mbylli 7-5.


TË NGJASHME