HomeSociale

Grabitja në Rinas, Meta: Ngjarje të tilla të papranueshme

Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë ku ka folur për grabitjen e aeroportit të Rinasit ditën e djeshme , ai u shpreh se ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe tregues i një mungese totale të përgjegjshmërisë.

Meta është shprehur se ngjarjen e konsideron një cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

Meta: E konsideroj ngjarjen cënim serioz të sigurië kombëtarë, të rendit publik dhe imazhit tonë. U kërkoj të vazhdojnë me vendoshmëri e intensitet kapjen e autorëve dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura. Të gjitha autoritetet përgjegjëse të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë. Të nxirren përgjegjësitë e plota për çdo institucion, që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për prandalimin e kësaj ngjarje që mund të kishte pasur pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.

FJALA E PLOTË:

Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik.

Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale. 

Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini, kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.

Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.

Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:

Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;

Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.

Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.

Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.

Në këto kushte, si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve, si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.

Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur. Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.

Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën.

Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij. 


TË NGJASHME