HomeSport

Grushti ndaj tifozit, tjetër dënim për Neymar

Pas grumbullit për ‘Copa America‘, nga kampi i Brazilit, vjen një lajm i bujshëm, Neymar nuk do të jetë më kapiten i ekipit. Ky vendim, është marrë nga trajneri i ekipit Tite, së bashku me mirëkuptimin e drejtuesve të Federatës braziliane. Vendimi për ti hequr shiritin e kapitenit Neymar, është marrë për një episod që ka ndodhur rreth një muaj më parë dhe që nuk ka lidhje me përfaqësuesen.

Në finalen e Kupës së Francës, Neymar qëlloi me grusht një tifoz dhe mesa duket ky episod i ka kushtuar shumë yllit brazilian. Ky incident i Neymar, nuk është pritur mirë nga tekniku Tite dhe është marrë vendimi për heqjen e shiritit të kapitenit. Neymar është imazhi i Brazilit dhe për atë gjest, veç dënimit nga Federata Franceze e Futbollit, ky është një tjetër dënim, akoma edhe më i rëndë për të.

Shiritin e kapitenit në dy ndeshjet e radhës, kundër Katarit dhe Honduras por dhe gjatë Kupës së Amerikës do ta mbajë shoku i tij te PSG, Dani Alves. Për anësorin shiriti nuk është një risi pasi për herë të fundit e ka mbajtur në miqësoren që Brazili zhvilloi me Gjermaninë, në mars të 2018. Me 138 ndeshje, Dani Alvesh është lojtari me më shumë paraqitje në Kombëtare. Brazili kërkon të rikthehet të fitojë ‘Copa America’, pasi për herë të fundit e kanë bërë diçka të tillë në 2007. Ky edicion është ndryshe për përfaqësuesen braziliane, pasi zhvillohet në shtëpinë e tyre. Ndeshjen e parë Brazili do ta luaj kundër Bolivisë më 14 qershor, që është edhe ndeshja hapëse e këtij kompeticioni.


TË NGJASHME