HomeSport

Guardiola ‘rikthehet’ në “Santiago Bernabeu”, Zidane synon vetëm fitoren

Champions League, padyshim është një prej kompeticioneve që gjithmonë është i mbushur me spektakël dhe emocione. Ekipet më të mira nga ligat më të mira të Europës, vendosen përballë njëra-tjetrës në ndeshje magjike. Në fazën e tanishme të turneut, përballja e konsideruar më e bukura dhe “finalja e parakohshme”, është pikërisht supersfida mes Manchester City dhe Real Madrid.

Akti i parë i kësaj sfide, do të luhet në mitikun “Santiago Bernabeu”. Pep Guardiola riktheht sërish në një stadium, ku ka kundër gjithë tifozerinë e galaktikëve. Pas shumë vitesh drejtimi të Barcelonës, Guardiola ka tani drejtimin e Manchester City dhe kjo sfidë do të shërbejë si një provë e qartë për forcën dhe mentalitetin e ekipit pas dënimit nga UEFA. Plot 2 vite pezullim nga kompeticionet europiane është dënimi i rëndë i UEFA-s i dhënë për qytetarët. Megjithatë Guardiola shpreson dhe në deklaratën para ndeshjes, është shprehur: ” Kemi të drejtë të apelojmë dhe unë kam besim te klubi. Ata më sqaruan gjithçka për këtë çështje dhe jemi shumë optimistë”.

Veç kësaj Guardiola ka folur edhe për mënyrën e lojës së madrilenëve, e sila sipas tij ka ndryshuar shumë. “Për mua është kënaqësi të kthehem këtu. Por Real ka ndryshuar shumë nga ajo kohë. Tani sulmon më shumë”, vijoi tekniku spanjoll. Për Guardiolën lajmi i mirë para kësaj ndeshjeje është rikthimi i Sterling, i cili është një prej pikave më të forta të ekipit.

Nga ana tjetër, gjërat nuk janë kaq të mira për teknikun e Real Madrid, Zidane. Ekipi vjen pas një humbjeje shokuese në La Liga dhe dëmtimi i Eden Hazard i vështirëson akoma më shumë gjërat për trajnerin dhe ekipin. “Nuk kemi kohë të qajmë për këtë. Kjo ndeshje shërben për të dhënë një mesazh dhe jam i bindur se rezultatet do të vijnë. Por nuk ka vend për asnjë gabim”, u shpreh Zidane në konferencën para ndeshjes. Trajneri francez nuk harroi të jepte edhe një koment për kolegun e tij Pep Guardiola, duke e quajtur atë trajnerin më të mirë në botë.

Sfida mes Manchester City dhe Real Madrid starton në 21:00 dhe s’duhet humbur asnjë sekond i saj.


TË NGJASHME