HomeSociale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Programe për të ngadalësuar emigrimin

Zbutja e emigracionit, rritja e punësimit dhe edukimi konsiderohen si sfidat e kohës. Këto fenomene, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vërehen dhe ndiqen me shqetësim edhe në ekonominë shqiptare.

Prandaj, për trajtimin e tyre, institucionet shqiptare janë angazhuar me programe zhvilluese që rrisin produktivitetin e punës dhe ngadalësojnë emigrimin e kualifikuar.

“Qëllimi është jo vetëm rritja e produktivitetit të forcës punëtore profesionale në vend, por mbi të gjitha ofrimi i mundësive për punësim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të rinjve të talentuar, në mënyrë që ata të investojnë dijet e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, vijimësia e reformave strukturore është mjaft thelbësore, ku, midis tyre, një vend të veçantë duhet të zënë domosdoshmërisht reformat e fokusuara drejt ngritjes së nivelit arsimor, zhvillimit të aftësive teknike dhe kualifikimit profesional, për të shtuar potencialet ekonomike dhe krijuar vende të reja pune”.

I pranishëm në konferencën e dytë të nivelit të lartë me temë “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe FMN në Dubrovnik, Kroaci, Sejko shtoi se një element mjaft i rëndësishëm dhe me rol kyç në arritjen e suksesit e këtyre përpjekjeve, është edhe bashkëpunimi me vendet partnere dhe me institucione prestigjioze financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të marrë eksperiencën e praktikave më të mira, por dhe orientimet e duhura në këtë drejtim.

Në fokus të konferencës ishin çështje që lidhen me lëvizjet demografike të popullsisë, rritjen ekonomike, punësimin dhe edukimin, si dhe masat që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të ulur nivelin e papunësisë dhe ekonomisë informale, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe e qenësishme për këto vende.


TË NGJASHME